SHBA e refuzon, Rusia ofron ndihmë për vaksinën

14/08/2020 14:45

Zyrtarë rusë kanë thënë për CNN se i kanë ofruar shteteve të bashkuara bashkëpunim për të përshpejtuar aksesin tek vaksina efektive dhe trajtime për Covid 19, por- thonë ata- SHBA nuk është aktualisht e hapur për arritjet mjekësore ruse.

“Ka një ndjesi të përgjithshme mosbesimi për Rusinë në anën amerikane dhe ne besojmë se teknologjitë, përfshirë vaksinën, testimin dhe trajtimet, nuk adaptohen në SHBA për shkak të këtij mosbesimi – tha një zyrtar i lartë rus për CNN. Zyrtarë amerikanë thanë për CNN se vaksina ruse konsiderohet e pasigurt në SHBA aq sa kjo e fundit nuk ka pasur asnjëherë interes serioz për të. “Nuk ka as edhe një shans që SHBA ta provojë atë tek majmunët e jo më tek njerëzit”, tha një zyrtar i shëndetit publik në qeverinë amerikane.

Rusia njoftoi të martën se kishte regjistruar vaksinën kundër koronavirusit dhe presidenti Putin tha se vetë vajza e tij e kishte bërë atë. Por testet nuk kanë përfunduar ende dhe disa ekspertë janë skeptikë për pretendimet. Gara për të gjetur një vaksinë efikase, ka ndikime globale jo vetëm në shëndetin e miliarda e njerëzve por sjell edhe miliarda dollarë fitime të mundshme për zhvilluesin dhe prodhuesin e suksesshëm të saj.

Zyrtarët rusë thonë se Rusia është e hapur të ndajë informacionet për vaksinën dhe se do të lejonte kompanitë farmaceutike amerikane të prodhojnë vaksinën ruse në tokë amerikane. Pavarësisht refuzimit të shteteve të bashkuara, Moska thotë se Uashingtoni duhet ta marrë në konsideratë vaksinën e pagëzuar me emrin Sputnik që sipas saj, mund të shpëtojë shumë jetë amerikanësh.

Top Channel