Pas vendimit të Greqisë/ Ministria e Jashtme për situatën në kufi: Po bëhen 330 testime në orë, jemi në bisedime për të zgjatur orarin e punës

14/08/2020 15:42

Pas vendimit të autoriteteve greke për të kërkuar vetëizolim 7 ditor dhe çertifikatë të testit negativ për të gjithë shtetasit që kalojnë nga Shqipëria në Greqi duke nisur nga data 17 gusht, gjatë dy ditëve të fundit ka patur një fluks të shtuar qytetarësh në pikat e kalimit kufitar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se është vënë në kontakt të menjëhershëm me palën greke dhe fillimisht u bë i mundur shtimi i testimeve të kryera në pikat kufitare prej 200 testimesh në orë, ndërsa në këto momente është arritur të realizohen 330 testime në orë.

“Testimi vazhdon pa ndërprerje, për të gjithë qytetarët që kërkojnë të kalojnë nga Shqipëria në Greqi. Ndërkohë, nga autoritetet greke na është premtuar shtimi i metejshëm i kapaciteteve testuese në oret në vijim.

Po ashtu, jemi në bisedime për të zgjatur orarin e punës në pikat kufitare, në mënyrë që qytetarët të mund të kalojnë edhe në orë e vona të natës.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes kanë vendosur në dispozicion të qytetarëve të bllokuar në rradhë disa ekipe mjekësore dhe autoambulanca, si dhe shërbime higjenosanitare.

Ne vazhdojmë të jemi në kontakt të vazhdueshë me palën greke dhe shpresojmë që situata të shkojë drejt një zgjidhje sa më të shpejtë“, njofton ministria.

Top Channel