Librat e regjistruar me zë ose ndryshe audiobooks po jetojnë momentin më të mirë të tyre. E ndërsa popullariteti i tyre, sa vjen e rritet, ky trend i ri që qëllon të jetë edhe kreativ, është parë ndër të tjera dhe si formë e re arti.

Po cfarë janë audiobooks? Kush e shpiku atë? Aty rreth vitit 1878, kur Thomas Edison sapo kish shpikur gramafonin, guxoi po me aq sukses të hidhte një ide. Teksa u përkul mbi makinën e tij të re, filloi të recitonte fjalët: “Maria kishte një qengj të vogël. Ai ishte aq i ëmbël dhe i bardhë si bora”. Ndërsa krijoi këtë regjistrim të parë të fjalës së folur, Edison ëndërroi që teknologjia një ditë mund të bëjë të regjistrohet një roman i tërë. Sot pak më shumë se 140 vite më vonë, ai do të ishte i impresionuar me rezultatin. Më shumë se 400,000 audiobooks, do të ishin gati për t’u shkarkuar direkt në xhepin e tij.

Audiobooks po njohin një bum lulëzimi. Një raport i fundit i kompanisë së madhe “Deloitte”, vuri re se shitjet globale, shënuan një rritje nga 25-30% në vit, në tre vitet e fundit, kryesuar nga SHBA dhe Kina. Krahasuar me shitjet e librit të shtypur, audiobooks duket si një babyboom në botën e botimit. Por nga ajo cfarë vihet re, duket se, rritja në shitjet e librave audio nuk ka ndikuar në uljen e shitjes së librit të shtypur. Sepse dëgjuesit e Audiobooks kanë tendencën të jenë të rinj, (mesatarisht 20- 30 vjec) ndërsa ka prekur, më së shumti ky treg pjesën e blerjeve të e- books, librave elektronikë. Prej kërkimit është arritur në rezultatin se audiobooks mund të arrijnë tek ata njerëz, të cilët më parë kishin shmangur librat, ndërsa tani janë duke e gllabëruar këtë medium të ri.

Ky trend i ri po njeh dhe një treg të ri. Audiobooks po tërheqin ndërkohë dhe talentet e aktrimit. Mendoni një Elisabeth Moss duke lexuar “Një përrallë dimri”, Meryl Streep duke rrëfyer dashurinë e saj të fshehtë me Klint Eastwood ose le të themi …Timo Fllokon me “Hënën e Shqipërisë”. A nuk është bukur? Po për dëgjuesin cfarë efekti ka? Kur e provoj vetë më duket sikur i kthehem fëmijërisë, një gjumë i paqtë deri në agim, një dashuri për fjalën kur e dëgjon, po ashtu dhe intimiteti i zërit të dikujt vetëm e vetëm për veshët e mi… një ngushëllim i madh në një kohë të frikshme si kjo.

Megjithatë ka shumë debate nëse të dëgjosh një libër është po njësoj, si ta lexosh atë. Debati që lind që prej të drejtave të autorit; përzgjedhja e zërit të përshtatshëm; autori dhe raporti i ngrohtë që ai duhet të ketë me narratorin; e shumë të tjera. Por një gjë dihet me siguri, audio ende nuk po e konkurron librin në kohën e tij të largët të leximit, ethshëm dhe plot pasion. Po si duket e ardhmja e këtij trendi që po merr përmasa në botë? E vërteta është se ka nisur të shihet potenciali i këtij fenomeni të ri; audiobooks si një formë arti. Ata që e risollën, “mjeshtrat e mëdhenj”, thonë se tashmë është shënuar një pikë kthese në këtë rrugëtim, që pritet të marrë përmasa evoluimi, megjithëse ka ende shumë për të bërë në përpunimin e elementit artistik, për të sjellë frymëzimin e duhur, atë shpirtëror …që vazhdon ta ketë libri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA