Kjo javë shënoi mbylljen e vettingut edhe për këtë sezon, pasi anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe atij të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kanë marrë pushimet.

Aleks Nikolli dhe Valdete Hoxha ishin të fundit për këtë periudhë të verifikuesve.

Pas këtyre seancave, komisionerët largohen me pushimet e verës, për tu kthyer në fillim të shtatorit ku vazhdojnë të jenë në pritje të procesit edhe 510 gjyqtarë e prokurorë nga 794 që kishte në total drejtësia.

Deri më tani janë ballafaquar me kontrollet 284 gjyqtarë e prokurorë nga të cilët në shkallën e parë u shkarkuan 104 prej tyre, ndërsa 118 u deklaruan të pastër.

Por ky bilanc është i ndryshueshëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit që largoi edhe 12 nga ata që ishin konfirmuar në shkallën e parë, duke e çuar numrin e të shkarkuarve në 116 dhe të konfirmuarve në 106. Megjithë këto të dhëna gati tre vjet nga nisja e procesit, KPA që është fjala e fundit e kontrollit të drejtësisë në vend ka shpallur vetëm 65 vendime të formës së prerë.

Nga ana tjetër mandati 5-vjeçar i Komisionit të pavarur të kualifikimit që mbyllet në qershor në 2022 dhe nëse deri atëherë nuk është përfunduar i gjithë procesi ndaj 510 subjekteve që presin në radhë, vettingun do ta vazhdojnë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë që si gjykatë të formës së prerë do të ketë Kolegjin e Posaçëm të Spelimit me mandat 9-vjeçar.

Në një raport avokati i popullit parashikon që me këto ritme vettingu ndaj drejtësisë do zgjasë më tepër se tetë vjet që do të thotë se pas ndryshimeve kushtetuese të 2016-s, atëherë kur u vendos për pastrimin e drejtësisë, rezulton që institucionet e reja nuk kanë kryer as gjysmën e punës.

 

Top Channel