“Historia përgjithësisht ka treguar që heronjtë e luftës zakonisht bëhen dëshmoret e parë të paqes”, shprehet Bledar Skënderi.

Me hyrjen në fuqi të kodit të ri elektoral dhe përzgjedhjen e kryekomisionerit të zgjedhjeve, anëtarët aktualë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të lirohen atomatikisht nga detyra. Bledar Skënderi anëtar në largim nga KQZ-ja nuk duket entuziast për formulën e re të legjislatorit.

“Nuk besoj se do jetë më efektive KQZ-ja e re pasi edhe nga vetë formati nga një trupë me 7 anëtarë do bëhet një trupë me 10 anëtarë, me një komisioner dhe zëvendëskomisioner. Por, mendoj se të qenurit part-time në detyrë e këtyre personave ndoshta mund ta bëjë këtë trupë pak më të besueshme për publikun. Ka shumë vite që KQZ-ja aktuale ka funksionim shumë të mirë dhe normal, por mosbesimi i palëve ndaj Komisionit Qendror Aktual të Zgjedhjeve duket se ka në sytë e publiku një lloj ngërçi apo sjell dyshime për trupën aktuale.”

Në 2021-shin shqiptarët do të votojnë jo vetëm me një kod, por edhe sistem të ri zgjedhor me lista të hapura. Bledar Skënderi është i mendimit se ndryshimet kushtetuese duhet të shoqërohen me një riformatim të ndarjes territoriale.

“Sistemi aktual me qarqe e vështirëson shumë pjesën e përzgjedhjes së kandidatëve për qarqet që kane shumë pak deputetë. Po marr Kukësin për shembull që është qark i vogël që ka 3 deputetë. Qytetarët janë shumë në vështirësi për të përzgjedhur një nga kandidaturat. Sistemi me lista të hapura do funksiononte me disa rajone më të mëdha se qarqet aktuale. Për shembull mund të bëhet një sistem me katër rajone më të mëdha në gjithë Shqipërinë për të hequr edhe dyshimet që kanë palët, që te qarku që ka numër tek apo çift favorizohet më shumë njëra palë se tjetra. Ka më shumë barazi mes palëve absolutisht nuk favorizon askënd, pastaj palët vendosin nëse do ketë kolacione apo jo.”

Në nëntor të 2018-ës iu bashkua trupës zgjedhore. Si periudhën më të vështirë në punë, Bledar Skënderi liston zgjedhjet e 30 qershorit pa opozitën, ndërsa nuk ka ende një përgjigje për fatin e tij pas largimin nga detyra.

“Mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje ose më saktë dalje e saj jashtë të gjitha institucioneve na vështirësoi goxha punën. Për të thënë të drejtën është një trysni që kemi ndjerë jo vetëm ne, por edhe familjarët tanë, bashkëshortja, fëmijët. Gjithsesi po ta them sinqerisht, po të kthehesha mbrapsht do kisha bërë të njëjtën gjë që kam bërë. Nuk besoj se do jem pjesë e trupës së re të KQZ-së.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA