Zëdhënësi i Komisionit të Bashkimit Evropian (BE) Peter Stano, theksoi se është e nevojshme të ketë sjellje që përputhen me fqinjësinë e mirë dhe të drejtën ndërkombëtare brenda dialogut dhe kontaktit për të zgjidhur problemet në Mesdheun Lindor.

I pyetur për zhvillimet në Mesdheun Lindor në konferencën e përditshme për shtyp, Stano tha se zhvillimet e fundit janë shqetësuese. Ai deklaroi se tensionet në rritje nuk do të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve. “Me qëllim të zgjidhjes së problemeve në Mesdheun Lindor, është e nevojshme të ketë sjellje që përputhen me fqinjësinë e mirë dhe të drejtën ndërkombëtare brenda dialogut dhe kontaktit. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell, bën të gjitha përpjekjet për të ndërtuar përsëri një dialog konstruktiv. Ai po vazhdon kontaktet me të gjitha palët relevante”, tha Stano.

Duke konfirmuar se Greqia ka thirrur një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm për të diskutuar zhvillimet, Stano vuri në dukje se vendet anëtare do ta diskutojnë çështjen. Ai tha se ekzistojnë edhe mënyra të tjera për diskutimin e çështjes, duke shtuar se në takimin joformal të ministrave të jashtëm (Gymnich) në fund të muajit do të bisedohet për zhvillimet në Mesdheun Lindor dhe marrëdhëniet Turqi-BE.

Në pyetjen nëse në rend dite përfshihen sanksione të mundshme kundër Turqisë, Stano rikujtoi se në Këshillin e Marrëdhënieve të Jashtme të organizuar më 13 korrik është marrë vendim për rritjen e dialgout me Turqinë. Stano gjithashtu rikujtoi se Përfaqësuesi i Lartë Borrell është ngarkuar me detyrën për të punuar mbi hapat që duhen ndërmarrë në lidhje me Turqinë dhe shtoi se BE-ja është në solidaritet me Greqinë dhe administratën qipriote greke./AA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA