Sekretari amerikan i Shëndetësisë viziton Tajvanin

11/08/2020 03:35

Sekretari amerikan i Shëndetësisë Alex Azar arriti në Tajvan, në krye të një delegacion amerikan, për një vizitë tre-ditore, gjatë së cilës do të takohet me Presidenten Tsai Ing-wen.

Kjo është vizita e nivelit më të lartë e një zyrtari amerikan që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike midis Uashingtonit dhe Taipeit në vitin 1979. Vizita zhcillohet ndërkohë që marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kanë rënë në një pikë të ulët historike. Kina është kundër kontakteve zyrtare midis SHBA dhe Tajvanit, të cilën ajo e shikon si territorin e vet, ndërsa presidentja tajvaneze kërkon fuqimisht njohjen e Tajvanit si vend sovran.

Pekini ka kundërshtuar me forcë dhe në mënyrë të përsëritur njohjen e Tajvanit të vetëqeverisur dhe ka deklaruar se do ta marrë ishullin me forcë, nëse është e nevojshme. Javën e kaluar, Kina e quajti vizitën e zotit Azar si kërcënim për “paqen dhe stabilitetin”, ndërsa ministri i saj i mbrojtjes paralajmëroi kundër “lëvizjeve të rrezikshme” të Uashingtonit, siç i quajti ai.

SHBA ka thënë se vizita e tanishme në Tajvan është një mundësi për të mësuar nga historia e suksesit të ishullit në luftën kundër pandemisë dhe për të vënë në dukje vlerat e tij përparimtare. “Kjo vizitë është një njohje e suksesit të Tajvanit në luftimin e COVID-19-ës dhe një dëshmi e besimit të përbashkët se shoqëritë e hapura dhe demokratike janë të pajisura më së miri për të luftuar kërcënimet e sëmundjeve si COVID-19,” tha një zyrtar i Shërbimeve Shëndetësore për gazetarët para udhëtimit. Tajvani ka regjistruar më pak se 500 raste me COVID-19 dhe vetëm shtatë vdekje.

Top Channel