Presidenti Trump do ta pranojë emërimin për rizgjedhje në Shtëpinë e Bardhë ose Getisburg

11/08/2020 04:59

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump njoftoi se do ta mbajë fjalimin për të pranuar emërimin nga partia e tij republikane, si kandidat për rizgjedhje, ose në Shtëpinë e Bardhë, ose në fushën e betejës së Luftës Civile në Getisburg të Pensilvanisë. “Do ta njoftojmë vendimin së shpejti”, shkruante ai në Twitter të hënën pasdite.

Fjalimi do të mbahet më 27 gusht. Fillimisht ishte planifikuar që Presidenti Trump të fliste në Sharlotë të Karolinës së Veriut, më pas u zhvendos në Xheksonvill të Floridës. Por është bërë e pamundur që një aktivitet aq masiv politik të mbahet në secilin nga këto qytete, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Edhe demokratët i kanë reduktuar përmasat e kuvendit të partisë së tyre javën që vjen në Milluoki të Uiskonsinit. Ish-nënpresidenti Joe Biden ka njoftuar se do ta mbajë fjalimin e pranimit të emërimit në shtetin e Delauerit. Si Shtëpia e Bardhë, edhe fusha historike e betejës janë objekte federale, duke ngritur shqetësime ligjore dhe etike për përdorimin e tyre si një aktivitet politik nga ana e presidentit.

Pasi u përmend në fillim Shtëpia e Bardhë si vendi i mundshëm për fjalimin, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e quajti një ide “që duhet të hidhet automatikisht poshtë”, duke parashikuar se “një gjë e tillë nuk do të ndodhë”. Por duket se administrata e Presidentit Trump dhe zyrtarët e fushates së tij, nuk e kanë hedhur poshtë. Alternativa tjetër në Getisburg të Pensilvanisë është një park kombëtar që shënon fitoren vendimtare të vitit 1863 të Unionit që i dha fund pushtimit të dytë dhe më ambicioz të Veriut nga gjenerali i Konfederatës, Robert E. Lee gjatë Luftës Civile, me të cilën Jugu donte të legalizonte skllavërinë në Shtetet e Bashkuara.

Katër muaj pas betejës, Presidenti Abraham Lincoln mbajti Fjalimin e Getisburgut, një nga fjalimet më të famshme në historinë e Amerikës.
Presidenti Lincoln tha se ushtarët që kishin vdekur atje kontribuan në ruajtjen e lirisë së Amerikës dhe se “qeveria e saj e popullit, nga populli dhe për popullin, nuk do të zhduket”. Megjithatë mbajtja e fjalimit nga Presidenti Trump në Getisburg mund të mos lërë një përshtypje aq të mirë politikisht, pranojnë disa burime mes republikanëve, pasi së fundmi presidenti ka mbrojtur gjeneralët e pales humbëse.

Si Shtëpia e Bardhë, ashtu edhe Getisburgu mund të paraqesin probleme për disa anëtarë të personelit të Shtëpisë së Bardhë që mund të përfshihen në organizimin e aktivitetit, pasi ligji amerikan (Akti Hatch) i kufizon aktivitetet politike, ku ata lejohen të marrin pjesë. Disa të emëruar të krahut ekzekutiv lejohen të marrin pjesë në mënyrë shumë të kufizuar në aktivitete politike, në krahun e Shtëpisë së Bardhë që shërben si residencë dhe partitë politike duhet të rimbursojnë qeverinë federale për të gjitha shpenzimet.

“Qoftë nëse e mban fjalimin në Shtëpinë e Bardhë, apo në Getisburg, Presidenti Trump po përçon mesazhin se nuk ka vijë ndarëse mes përfitimeve private dhe përgjegjësisë publike në këtë administrate”, i tha Zërit të Amerikës, Walter Shaub, ish-drejtor i Zyrës së Shteteve të Bashkuara për Etikën në Qeveri.

“Trump-i po përdor një burim publik për të çuar përpara ambicjet e tij personale politike. Këto objekte nuk janë në dispozicion të kundërshtarit të tij, kështuqë nuk duhet të jenë as në dispozicion të tij”, tha zoti Shaub, që e ka kritikuar vazhdimisht publikisht Presidentin Trump, që kur u largua nga detyra në vitin 2017. Në vitin 1979 – ndërsa 50 amerikanë po mbaheshin peng në Iran – vendosi ta bënte njoftimin për rizgjedhje me një ceremoni të shkurtër nga Krahu Lindor i Shtëpisë së Bardhë. Fushata e tij përdori gjithashtu Zyrën Ovale për një reklamë fushate për një garë zgjedhore që ai e humbi ndaj Ronald Reganit./VOA

Top Channel