101 ditë pa Covid-19/ Zelanda e Re shënon rekordin që shumëkush e ka zili

11/08/2020 01:31

Zelanda e Re ka shënuar një rekord që shumëkush e ka zili. Më shumë se 100 ditë që kur rasti i fundit i koronavirusit u regjistrua në vend. Deri sot, vendi ka raportuar 1219 raste të koronavirusit dhe vetëm 21 prej tyre janë aktive.

Asnjë rast nuk është shfaqur përmes transmetimeve në komunitet në 100 ditë – njoftuan autoritetet duke shtuar se të gjithë infektimet kanë ardhur nga jashtë. Në total, vendi ishullor me 5 milionë banorë ka raportuar 22 viktima nga koronavirusi. Ndërsa vendet e tjera, përfshirë Australinë dhe SHBA-në, vazhdojnë të përballen me shpërthime, Zelanda e Re është konsideruar një shembull se si duhet luftuar Covid-19.

Një arsye kyçe është se edhe pse vendi duket se e ka koronavirusin nën kontroll, autoritetet vazhdojnë të testojnë mijëra njerëz çdo ditë. Strategjia e Zelandës së Re, ishte e thjeshtë: me fjalët e kryeministres Jacinda Ardern, vendi duhej të vepronte shpejt dhe fort. Kur Ardern vendosi të mbyllte kufijtë për të huajt, më 19 mars, vendi kishte vetëm 28 raste të konfirmuara dhe kur ajo njoftoi izolimin kombëtar më 23 mars, kishte vetëm 102 raste dhe asnjë viktimë.

Dhe izolimi ishte strikt, nuk kishte restorante që ofronin ushqim me vete, plazhe të mbyllura dhe jo largim përtej lagjes tënde. Rregullat ishin në fuqi për pesë javë por vendi mbeti nën izolim efektiv edhe për dy javë më shumë. E kjo ishte pjesë e strategjisë më të gjerë të vendit; eleminimit të virusit.

Top Channel