Taksa për të pasurit! Protestë para shtëpisë së Bezos

10/08/2020 14:30

Qindra protestues u mblodhën para apartamentit të bosit të “Amazon”, Jeff Bezos-it, në Nju Jork, me kërkesën që miliarderët të taksohen.

Fitimet e “Amazon” thuajse u dyfishuan në 5.2 miliardë dollarë që nga fillimi i pandemisë. Mes tyre edhe punëtorë të “Amazon” që kanë humbur vendin në këtë kompani, pas denoncimit të kushteve të punës atje. Protestuesit kërkonin një taksë federale për të pasurit.

Pasuria e Bezos-it u rrit gjatë pandemisë pasi blerësit i drejtoheshin internetit për blerjet e tyre gjatë izolimit nga koronavirusit. Aksionet e “Amazon” u rritën me 70 përqind në bursa që nga janari.

E gjithë kjo vjen vetëm pak ditë pasi ish-bashkëshortja e Bezos, MacKenzie Scott, njoftoi se kishte ndryshuar mbiemrin dhe dhuroi 1.7 miliardë dollarë për organizata të ndryshme bamirësie. Ajo u bë milionere prillin e shkuar kur finalizoi divorcin me bashkëshortin e 25 viteve, duke fituar 38 miliardë dollarë nga marrëveshja e divorcit, çka e bëri automatikisht gruan e tretë më të pasur në planet.

 

Top Channel