Tajvani: OBSH u jep prioritet “konsideratave politike”

10/08/2020 14:58

Tajvani ka bërë të ditur se konsideratat politike nuk duhet të kenë përparësi ndaj shëndetit, duke i referuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që ndaloi vendin ishull nga Asambleja Botërore e Shëndetit e mbajtur majin e kaluar.

Duke u adresuar në një konference për media të transmetuar drejtpërdrejtë në internet nga Instituti Amerikan i Tajvanit, presidenti Tsai Ing-wen tha se, “Përgjatë kësaj pandemie, Tajvani ka demonstruar jo vetëm se është në gjendje të mbajë linjën e mbrojtjes së tij, por gjithashtu mund të ndihmojë dhe koordinojë me vendet tjera në luftën kundër sëmundjes”.

Tsai informoi mediat pas një takimi me sekretarin e Shëndetit të SHBA-ve, Alex Azar, i cili qëndroi për një vizitë zyrtare në Tajvan.

“Faleminderit presidentit Tsai që më mirëpriti sot në Tajvan. Është nder i vërtetë të jem këtu për të përcjellë një mesazh të mbështetjes dhe miqësisë së fortë nga SHBA-të për Tajvanin”, tha Azar.

Kjo është vizita e nivelit më të lartë nga ndonjë zyrtar amerikan në 41 vitet e fundit që kur Washingtoni ndërroi njohjen diplomatike në Kinë në vitin 1979.

“Të nderuar, jemi këtu për të përçuar mbështetjen tonë për Tajvanin dhe udhëheqjen e tyre globale të shëndetit. Tajvani pati sukses të jashtëzakonshëm në detektimin e COVID-19, menaxhimin e shpërthimit dhe shpërndarjen e këtij informacioni të vlefshëm me kombet e tjera”, tha Azar.

Tajvani ka raportuar vetëm 480 raste të koronavirusit dhe 7 vdekje nga koronavirusi duke marrë lëvdata ndërkombëtare për menaxhimin e vendit ndaj pandemisë.

Duke iu referuar mohimit të OBSH-së për pjesëmarrjen e Tajvanit në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë, Tsai tha se, “Unë do të doja të përsëris se konsideratat politike nuk duhet të kenë kurrë prioritet mbi të drejtën e shëndetit. Vendimi për ta lënë anash Tajvanin nga pjesëmarrja në OBSH është një shkelje e së drejtës universale për shëndetin”.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan erdhi në mes tensioneve të larta midis Washingtonit dhe Pekinit mbi Hong Kongun pasi në korrik Kina vendosi ligj të sigurisë kombëtare për rajonin gjysmë-autonom.

Tajvani këmbëngul se është një shtet i pavarur, jashtë sovranitetit të Kinës. Të paktën 15 vende e njohin atë si të tillë dhe kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike me Taipei. Por, Kina thotë se Tajvani është një “provincë e shkëputur”.

Top Channel