Shpërthen mali Sinabung/ Indonezi, hi dhe tym në qiell (FOTO)

10/08/2020 14:21

Mali Sinabung në Indonezi, shpërtheu të hënën, duke lëshuar një kolonë masive hiri dhe tymi që u ngrit deri në 5 mijë metra në ajër e duke mbuluar komunitetet lokale në pluhur.

Vullkani në ishullin Sumatra është aktiv që nga 2010 dhe pati edhe një shpërthim vdekjeprurës në 2016. Aktiviteti është intensifikuar ditët e fundit, përfshirë disa shpërthime më të vogla në fundjavë. Nuk ka raporte për lëndime apo viktima por autoritetet kanë paralajmëruar për rrëke të mundshme llave. Ndërkohë alarmi i gatishmërisë për statusin e kraterit mbetet në nivelin e dytë më të partë.

Askush nuk jeton në një zonë të ndaluar përreth vullkanit, por komunitete të vogla, afër tij, janë mbuluar nën një shtresë të trashë hiri nga shpërthimi i të hënës.  Sinabung u kthye në aktivitet në 2010, për të parën herë në 400 vjet. Pas një tjetër periudhe pa aktivitet ai shpërtheu në 2013 dhe mbeti që atëherë shumë aktiv.  Në 2016 shtatë persona humbën jetën si pasojë e një shpërthimi të tij ndërsa në 2014, mbetën të vdekur 16 vetë.

Në fund të 2018, një vullkan në ngushticën mes ishujve Java dhe Sumatra shpërtheu, duke shkaktuar një rrëshqitje toke nën ujë që shkaktoi një tsunami që i mori jetën mbi 400 personave. Indonezia ka rreth 130 vullkane aktive për shkak të pozicionit të saj mbi unazën e zjarrit, një brez kufijsh pllakash tektonike që gjenden nën paqësor, me aktivitet të shpeshtë sizmik.

 

FOTO GALERI
1/4

Top Channel