E gjithë kurora e gjelbërt e halorëve që rrethon qytetin e Gjirokastrës është duke kaluar një situatë të vështirë për shkak të sëmundjes së proçesionares, por edhe për shkak të prerjeve të identifikuara përgjatë periudhës së fundit.

Zjarret kanë qenë një tjetër kërcënim për këtë hapësirë. Në të gjithë territorin e bashkisë së Gjirokastrës janë nën mbikëqyrjen dhe në mbrojtjen e Agjencisë së Pyjeve dhe Kullotave rreth 22 mijë ha pyje dhe kullota përfshirë këtu edhe territorin e halorëve megjithatë pyjet janë duke u tkurrur vazhdimisht.

“Natyrisht që ka dëmtime nga persona të papërgjegjshëm. Kemi marrë masa me Drejtorinë e Policisë. Kemi gjetur disa pemë të prera dhe janë në procedurë e sipër prej organeve kompetente. Sa i përket proçesionares, një metodë eleminimi është me pesticide dhe metoda tjetër që do shumë fuqi punëtore është duke këputur lastarët por është e paarritshme sepse do shumë fuqi punëtore”, u shpreh Seit Rondo nga Agjencia e Bujqësisë Pyjeve Kullimit dhe Ujitjes.

Drejtoria e Bujqësisë dhe Pyjeve në Bashkinë e Gjirokastrës flet për kompetenca të kufizuara pasi nuk e ka të mundur të ndëshkojë me penalitete dëmtuesit e pyjeve ata që kanë realizuar edhe prerjet në kurorën përreth qytetit.

1/6 e gjithë fondit pyjor në Gjirokastër nuk ekziston më fizikisht në terren por në inventarin dokumentar asgjë nuk ka ndryshuar. Kjo sepse inventarizimi i fundit i fondit pyjor është kryer në 1988.

Sipas një vlerësimi paraprak nëse ritmi i ripërtëritjes dhe ai i shfrytëzimit  do të mbeten në të njëjtin nivel me shumë gjasa gjatë dekadës së ardhshme mund të degradojë gati 20% e sipërfaqes aktuale të pyjeve në Gjirokastër ndërsa bilanci mund të thellohet në të gjithë vendin. Gjatë 3 dekadave të fundit Shqipëria ka humbur rreth 200 mijë hektarë pyje.

 

Top Channel