Edhe Twitter në lojë/ Interes për blerjen e “TikTok”

10/08/2020 11:47

Twitter i ka shprehur interesin kompanisë kineze “ByteDance” për të blerë operacionet në SHBA të aplikacionit “TikTok”, bënë të ditur për agjencinë “Reuters” burime që kanë dijeni mbi këtë çështje.

Por ekspertët kanë hedhur dyshime mbi aftësinë e “Twitter-it” për siguruar financim për një marrëveshje të mundshme. Burimet thanë se ka pak mundësi që “Twitter-i” të jetë në gjendje ta mundë kompaninë “Microsoft” duke mbyllur një marrëveshje brenda 45 ditësh, afat që Presidenti Donald Trump i ka dhënë kompanisë “ByteDance” që të shesë “TikTok-un”.

Lajmi se “Twitter-i” dhe “TikTok-u” janë përfshirë në bisedime paraprake dhe se “Microsoft-i” ende shihet si kryesues për blerjen e aplikacionit u raportua më herët nga “The Wall Street Journal”.

Sipas burimeve “Twitter-it” do t’i duhet të mbledhë kapital shtesë për të financuar marrëveshjen. Kompania “Twitter” ka një vlerë në treg prej rreth 30 miliardë dollarësh, pothuajse aq sa vlera që kërkon “TikTok-u” të shesë.

Sipas informacioneve “Twitter-i” ka bërë të ditur se oferta e tij do të përballej me një kontroll më të vogël rregullator sesa në rastin e “Microsoft-it” dhe se nuk do të ketë ndonjë presion nga Kina duke pasur parasysh se nuk është aktiv në atë vend, thanë burimet.

“TikTok-u”, “ByteDance” dhe “Twitter-i” nuk pranuan të komentojnë. Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime ndaj aplikacionit “TikTok” lidhur me sigurinë kombëtare. Në fillim të kësaj jave Trump njoftoi vendimin për të bllokuar përdorimin e aplikacioneve me bazë në Kinë, “WeChat” dhe “TikTok”, duke përshkallëzuar tensionet mes dy vendeve. Urdhrat ekzekutivë hyjnë në fuqi brenda 45 ditëve.

Top Channel