Terrorizoi pushuesit në Tushemisht/ Policia arreston një prej autorëve, në kërkim 3 bashkëpunëtorët

09/08/2020 15:24

Një ditë pas sulmit me armë zjarri të shënuar në drejtim të këtij hoteli në hyrje të Tushemishtit brenda të cilit ndodheshin dhjetëra pushues policia ka ndaluar një nga personat e dyshuar dhe ka shpallur në kërkim tre të tjerë.

Mariglen Topuzi 37 vjeç është personi i ndaluar nga policia ndërsa të shpallur në kërkim janë I. B 52 vjeç, M. B 34 vjeç dhe B. S 28 vjeç.

Shkak i sulmit u bë një grindje e ndodhur një vit më parë mes djalit të pronarit dhe 37 vjeçarit të ndaluar ndërsa disa karikatorë kallashnikovi u zbrazën në drejtim të parkingut të automjeteve dhe ndërtesës.

Por ky nuk ishte atentati i parë i shënuar këtu pasi në 1 gusht u qëllua me tre plumba në drejtim të po të njëjtit hotel.

Pas ngjarjes së rëndë policia u vu në lëvizje dhe arriti të hedhe dritë mbi ngjarjen duke siguruar si prova 1 mjet motor tip “Suzuki”, pa targë, 2 skafandra të përdorura nga autorët, ku janë fiksuar prova biologjike dhe balistike të tyre, fishekë luftarakë, si edhe pamje filmike të filmuara nga kamerat e sigurisë.

Ndërsa pas ngjarjes së rëndë pushuesit nxituan të largohen të tmerruar nga ajo çfarë përjetuan një ditë më pas në Tushemisht situata i është rikthyer normalitetit por edhe pushuesit.

Top Channel