Covid-19, shpërthim rastesh në Greqi/ Parashikohet skenar ogurzi nëse s’merren menjëherë masa më të rrepta

09/08/2020 18:46

Një shpërthim rastesh me Covid-19 vihet re në Greqi, saktësisht 355 persona në dy ditë.

Greqia ka regjistruar sot numrin më të madh të rasteve që prej nisjes së pandemisë. Sipas deklaratës së Organizimit Kombëtar të Shëndetësisë, numri i të prekurve me Covid-19 ka shkuar në 24 orët e fundit në 203 dhe në total 5623, ndërsa është regjistruar edhe një vdekje duke e çuar numrin e viktimave në 212. Vetëm 29 të prekur janë gjetur në pikat e hyrjes së vendit.

Gjithashtu 22 persona trajtohen në dhomat e terapisë intensive, pesë më tepër se javën e kaluar, ndërsa ata që kanë dalë prej terapisë janë 129 vetë.

Duhet theksuar se 50 raste janë zbuluar në një fabrikë vaji në Halkidhiki, pasi dy punëtorë shqiptarë janë kthyer nga Shqipëria javën e shkuar dhe mbi 300 punëtorë i janë nënshtruar testeve, ndërsa është mbyllur përkohësisht punishtja sipas protokolleve të përcaktuara. Gjithashtu shumica e rasteve të tjera, ashtu si edhe dje janë regjistruar në Selanik dhe Athinë.

Ndërkohë në një hulumtim të universitetit “Aristoteli” të Selanikut parashikohet një skenar ogurzi sipas të cilit nëse nuk merren menjëherë masa më të rrepta, Greqia do të regjistrojë 700 raste në ditë deri në fund të vitit.

Midis këtyre masave parashikohet vënia e maskës kudo, puna nga shtëpia dhe karantina lokale (lockdoën) sidomos në Maqedoninë Qendrore.

Duke parë shpërthimin e rasteve, kryeministri Mitsotakis ka thirrur urgjentisht në një telekonferencë mëngjesin e së hënës, kabinetin e tij për të planifikuar një strategji të re në përballimin e situatës.

Aleksandër Marku

Top Channel