Broadway mbyll perdet, të paktën deri dimrin e 2021

09/08/2020 14:37

Shfaqjet e famshme të Broadway-t në Nju Jork u pezulluan pasi vendi u godit nga pandemia e koronavirusit.

Megjithëse tabelat vezulluese me fotografi të shfaqjeve muzikore si Aladini dhe Mbreti Luan vazhdojnë të jenë ende aty, aktorët dhe publiku nuk do të kthehen në sallat e bukura për të shijuar shfaqjet, deri të paktën dimrin e vitit 2021. Çdo vit më shumë se 14 milionë njerëz vijnë për të parë një nga shfaqjet e famshme të Broadway-t në qytetin e Nju Jorkut. Në vitin 2019 falë këtyre shfaqjeve u siguruan më shumë se 1.7 miliardë dollarë. Por që nga muaji mars, teatrot kanë qenë bosh dhe Broadway mund të përballet me pushim të gjatë rekord. Shumëkush beson se teatrot nuk do të lulëzojnë derisa sa të dalë në qarkullim një vaksinë kundër COVID-19.

Pjesë më të njohura të Broadëay-it si shfaqja muzikore Hamilton, Fantazma e Operas dhe Mbreti Luan, me gjasë do t’i mbijetojnë ndërprerjes së pashembullt. Por disa të tjera mund të hiqen nga skena dhe ky proces i trishtuar tashmë ka nisur.

Por edhe ato që do të mbijetojnë do të duhet t’i përshtaten realitetit të ri. Industria duhet të rishikojë politikën e çmimeve dhe kompensimit për ata që punojnë prapa skenës, muzikantët, stilistët dhe specialistët e ndriçimit.
E gjitha kjo nuk ka të bëjë vetëm me Broadway-n, por edhe me Nju Jorkun. Industria siguron para për qytetin dhe mbështet me mijëra vende pune.

Një industri e gjallë e teatrit financon hotelet, restorantet dhe dyqanet pranë pikës së njohur turistike tregtare të qytetit “Times Square”. Për shumë njerëz, rikthimi i Broadway-t do të thotë rikthim i Nju Jorkut me gjallërinë dhe shkëlqimin e tij.

Top Channel