Birrë e Mynihut, statusi i parë në një shekull

09/08/2020 15:03

Një birrari bavareze mori statusin zyrtar të birrës së Mynihut për të parën herë në një shekull, çka i garanton asaj një vend mes emrave të mëdhenj si Loewenbraeu në festivalin e famshëm të Oktoberfestit.

Themeluar në një garazh në 2006, dhe fillimisht e financuar me fonde të mbledhura nga miq e të afërm, birraria Giesinger tani merr ujë nga një burim në qytet dhe prodhon birrën brenda mureve të saj, kriter i kërkuar për një birrari zyrtare të Mynihut. Për të fituar statusin, që u dha për herë të fundit në fund të shekullit të 19, kompania u detyrua të gërmonte një pus 150 metra të thellë, për të patur akses në një burim special uji. Vetëm gjashtë birrari të tjera e mbajnë titullin që u jep atyre lejen për të përdorur emra klasikë birrash si

“Muenchner Hell”: Augustiner, Hacker-Pschorr, Hofbraeu, Loeëenbraeu, Paulaner dhe Spaten. Të qenit birrari e Mynihut, bën që Giesinger të ketë tendën e saj në festivalin e madh të oktoberfestit, edhe pse prodhimi duhet të rritet në mënyrë domethënëse për të plotësuar kërkesat e mijëra pjesëmarrësve në festë. Sidoqoftë ajo do të ketë kohë të mjaftueshme për të rritur kapacitetet e saj, pasi këtë vit Oktoberfesti është anuluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Top Channel