6 viktima dhe 136 raste të reja/ Infektime të shtuara që lidhen me grumbullime në ceremoni festive apo mortore

09/08/2020 19:42

Edhe kjo e diel shënoi 6 viktima nga koronavirusi ne vend, ndërsa u konfirmuan 136 raste të reja.

Ndërkohë në dy spitalet Covid janë të shtruar 112 pacientë të konfirmuar pozitivë, 18 janë në terapi intensive, 3 prej të cilëve të intubuar.

“Fatkeqësisht, edhe pas përpjekjeve të mëdha të ekipeve mjekësore, ka ndërruar jetë artisti 53-vjeçar nga Tirana. Gjithashtu dy spitalet Covid, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen, një 61-vjeçar nga Tirana, një 62-vjeçar nga Durrësi, një 76-vjeçar nga Tirana, një 77-vjeçar nga Pogradeci, një 87-vjeçare nga Shkodra. Në të dy spitalet Covid, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid-19, po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse”, u tha në komunikatën e Ministrisë.

Ministria e Shëndetësisë thotë se në 24 orët e fundit janë 74 persona të shëruar, ndërsa mjekët e familjes në të gjithë vendin po monitorojnë çdo ditë mbi 1 mijë persona aktivë me Covid-19.  Po ashtu ministria rikujton se ndalohen të gjitha grumbullimet pasi janë burim i përhapjes së infeksionit.

“Nisur nga fakti se janë vënë re raste të shtuara që lidhen me grumbullime në ceremoni festive apo mortore, rikujtojmë qytetarët se ndalohen të gjitha grumbullimet pasi janë burim i përhapjes së infeksionit, duke vënë në rrezik shëndetin tuaj dhe të afërmve tuaj. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë për më shumë kujdes për respektimin e rregullave të higjienës, vendosjes së detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe respektimit të distancimit fizik.”

 

Top Channel