Sot Champions League/ Në fushë Barça, Bayern, Chelsea

08/08/2020 14:11

Luhen sot dy ndeshjet e fundit të kthimit të 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve, nga ku do të dalin dy skuadrat e fundit cerekfinaliste të këtij kompeticioni që do të udhëtojnë drejt Lisbonës për fazën e ‘Final Eight’ të tij.

Vëmendja më e madhe do të jetë në Camp Nou në ndeshjen mes Barcelonës dhe Napolit me skuadrat që kanë barazuar në ndeshjen e parë në San Paolo 1-1. Për Barcelonën, kjo me Napolin është ndeshja e sezonit pasi një humbje me italianët do të bëjë që katalanasit të mbyllin vitin pa asnjë trofe. Barcelona do të ketë disa mungesa, Dembele dhe Umtiti për shkak të problemeve fizike dhe Busquets e Vidal për arsye dëmtimi, ndërsa Napoli do të ketë në dispozicion Insignen që pritet të jetë një kërcënim për mbrojtjen katalanase.

Barcelona ka në avantazhin e saj faktorin fushë pasi do të luajë në Camp Nou edhe pse këtë radhë do të jetë pa tifozë. Janë 35 ndeshje të Ligës së Kampioneve që Barcelona nuk njeh humbje, një statistikë kjo që tremb këdo që udhëton që qendrën katalanase. Nëse Barcelona do të kalojë në cerekfinale, pritet që të ketë si kundërshtar skuadrën e frikshme të Bayernit të Mynihut. Skuadra bavareze do të presë në Allianz Arena, Chelsean me skuadrën e Flick që do të luajë me një qetësi të madhe pasi ka fituar 3-0 në Londër në ndeshjen e parë.

Për Bayernin e Mynihut ky sezon është ai ku do të tentojë të fitojë tripletën sezonale të trofeve pasi më parë ka fituar kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë. Bayerni do të besojë sulmin te Lewandowski shënuesi më i mirë i champions me 11 gola deri tani, ndërkohë që do të mungojë Coman i cili mund të zëvendësohet nga coutinho ose Perisic. Më e vështirë është situata te Chelsea ku Frank Lampard do t’i duhet të improvizojë formacionin për përballjen me bavarezët pasi ka mungesa të shumta te skuadra e tij për arsye dëmtimesh e skualifikimesh.

Top Channel