Dhunë në familje, drogë dhe vjedhje/ Arrestime në Tiranë, ndalohet një person në kërkim kombëtar

08/08/2020 16:29

Është kapur dhe ndaluar në Tiranë një shtetas i shpallur në kërkim kombëtar. Po kështu janë arrestuar në flagrancë edhe 4 persona të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6, u bë ndalimi dhe ekzekutimi i vendimit penal për shtetasin në kërkim E.H., 23 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës Parë Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”, gjithashtu ky shtetas gjatë shoqërimit ka kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës punonjësit e Policisë së rendit publik.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditi një tjetër rast, duke vënë në pranga shtetasin E. K.,(L) 28 vjeç, pasi në rrugën “Kont Leopold Bertold” gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale ” “Vjedhje të energjisë elektrike apo impulsive telefonike ” të shtetasit E.M., 35 vjeç, pasi nga punonjësit e OSHEE, gjatë kontrollit të ushtuar në subjektin në përdorim nga ky shtetas kanë konstatuar se matësi i energjisë elektrike, ishte i dëmtuar dhe nuk bënte matjen e energjisë elektrike të harxhuar nga ky subjekt.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.D., 23 vjeç, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe u konstatua nga shërbimet e Policisë jashtë banese.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.5, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L.K., 47 vjeç, sepse në mënyrë të vazhdueshme, ka ushtruar dhune fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel