Shfrytëzonte për prostitucion e shpërndarje droge bashkëjetuesen dhe një 18-vjeçare, arrestohet i riu nga Korça (EMRI)

07/08/2020 10:20

Një 28-vjeçar është vënë në pranga në Tiranë pasi shfrytëzonte për prostitucion në qytete të ndryshme, bashkëjetuesen 17-vjeçare dhe një shtetase tjetër 18-vjeçare.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas shfrytëzonte për prostitucion një shtetase 18-vjeçare, të cilën e përdorte edhe për shpërndarje të lëndëve narkotike në doza të vogla, si dhe një shtetase 17-vjeçare me të cilën bashkëjetonte, kanë organizuar punën duke bërë dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Në bazë të provave të grumbulluara u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Klientët”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi Majkëll Mara, 28 vjeç, banues në Korçë”, bëhet me dije në njoftimin e policisë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shfrytëzimi ndodhte në qytetet Korçë, Sarandë dhe Tiranë, një 18-vjeçare dhe shtetasen e mitur 17-vjeçare, me të cilën bashkëjetonte.

Gjithashtu, shtetasi Majkëll Mara e ka shfrytëzuar dhe përdorur 18-vjeçaren edhe për shpërndarje të lëndëve narkotike në qytetet Korçë, Sarandë dhe Tiranë.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një automjet dhe dy telefona.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur’’, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Top Channel