Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) në një raport të fundit për planin e përgjigjes për rimëkëmbjen social ekonomike ndaj Covid-19 ka paralajmëruar se sistemi shëndetësor në vend rrezikon të mbingarkohet nga pandemia e Covid-19.

Kjo mund të bëjë që të ulet vëmendja ndaj sëmundjeve të parandalueshme dhe trajtueshme dhe si rrjedhojë vdekjet prej kësaj të fundit t’ia kalojnë humbjeve të jetëve, që po shkaktohen nga pandemia.

“Sistemi shëndetësor i Shqipërisë mund të mbingarkohet së shpejti nga pandemia e COVID-19, nëse nuk mbështetet si duhet. Siç theksohet edhe në Analizën e Situatës, vdekjet nga vetë pandemia mund të tejkalohen së shpejti edhe nga vdekjet për shkak të sëmundjeve të parandalueshme ose të trajtueshme, gjë nuk do të menaxhoheshin dot më tej për shkak të mosfunksionimit të sistemit shëndetësor”, thuhet në raport.

Raporti thekson rrezikun që të anashkalohet trajtimi i sëmundjeve të tjera. Këtu ndikon ndër të tjera dhe fakti që një pjesë e mirë e buxhetit është riaolokuar për Covid-19 dhe është ulur vëmendja për trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve të tjera.

“Duhet theksuar se shpenzimet publike për shëndetësinë si pjesë e PBB-së janë më të ulëta në Shqipëri (2.97%) sesa në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore, dhe parashikimet për vitet 2020-2022 tregojnë një ulje të lehtë në 2.94% deri në vitin 2022. Kjo tendencë është veçanërisht shqetësuese nëse duhet të ndërtojmë dhe të fuqizojmë një sistem shëndetësor më të mirë. Projeksioni i OBSH për vitin 2020-2022 tregon se Shqipëria do të shpenzojë për tre vitet e ardhshme më pak se 10% për shëndetin nga paratë e përgjithshme publike. Rënia e burimeve për kujdesin parësor është shqetësuese. Strategjia për zhvillimin e kujdesit parësor në Shqipëri kërkon një buxhet të rritur në 25%. Roli i rëndësishëm i kujdesit parësor në përgjigjen dhe shërimin e COVID 19 është i rëndësishëm”, thuhet në raport.

Shtylla kryesore e Planit të përgjigjes për rimëkëmbjen social ekonomike ndaj Covid-19 është ajo e shëndetit. E titulluar “Shëndeti i pari”, reagimi i Kombeve të Bashkuara në mbështetje së pari të Shëndetësisë, përshkruhet më poshtë

1.1 FORCIMI I REAGIMIT NDAJ COVID-19

Duke pasur parasysh rritjen aktuale të rasteve, ekziston një nevojë urgjente për vazhdimin me masat reaguese ndaj COVID-19, si dhe për plotësimin e boshllëqeve specifike në reagimin aktual.

Masat afatshkurtra dhe afatmesme

-Koordinimi, planifikimi dhe monitorimi në shkallë vendi: njësitë operacionale të emergjencës në ISHP, ndërveprimi dhe analiza e efekteve të masave të marra, etj.

-Forcimi i laboratorëve kombëtarë, kapaciteteve testuese, kapaciteteve të trajnuara njerëzore në laboratorë.

-Përmirësimi i survejimit, ekipeve të reagimit të shpejtë dhe hetimit të rasteve.

-Përmirësimi i komunikimit të riskut dhe angazhimit të komunitetit, survejimit të sjelljeve, etj.

-Forcimi i pikave të hyrjes sipas IHR (aeroporte, porte detare, kufij tokësorë).

-Parandalimi dhe kontrolli i infeksioneve në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.

-Forcimi i menaxhimit të rasteve COVID-19.

-Mbështetje operacionale dhe logjistike (inventari në vend, baza e të dhënave të furnizimeve etj.).

-Mbështetja e shpërndarjes së vaksinës

1.2 OFRIMI I SIGURT I SHËRBIMEVE THELBËSORE DHE RIKUPERIMIT

COVID-19 ka potencialin të rrisë sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë përmes pamundësisë së sistemeve shëndetësore për të vazhduar dhënien dhe forcimin e shërbimeve shëndetësore. Masat e hollësishme përfshijnë:

Masat afatshkurtra dhe afatmesme

-Ngritja e mekanizmave rregullues dhe koordinues për menaxhimin e dyfishtë të sistemit të gjurmimit shëndetësor.

-Zgjerimi i shërbimeve shëndetësore specifike për kontekstin e vendit.

-Forcimi i kushteve dhe platformave të ofrimit të shërbimeve.

-Përcaktimi i menaxhimit efikas të pacientëve (ekzaminimi, triazhimi, dhe referimi i targetuar.

-Rritja e kapacitetit të punonjësve të shëndetësisë, duke përfshirë edhe rindarjen e detyrave dhe organizimin e përbashkët të tyre.

-Ruajtja e sigurisë për stafin dhe për pacientët.

-Marrja e masave për sigurimin e vazhdueshëm të medikamenteve esenciale, pajisjeve dhe furnizimeve.

-Forcimi i komunikimit dhe përdorimi i teknologjive të informacionit për mbështetjen e përdorimit të duhur të shërbimeve thelbësore.

1.3 RRITJA E QËNDRESËS SË SISTEMIT SHËNDETËSOR DREJT MBULIMIT UNIVERSAL SHËNDETËSOR

COVID-19 ka potencialin të rrisë përcaktuesit aktualë të shëndetit, të prekë popullatat e cenueshme sa i përket aksesit të tyre në kujdes shëndetësor, duke mos qenë të gatshme për t’u përballur me asnjë formë të pandemive apo emergjencave. Për këtë arsye, nevojitet forcimi i të gjithë sistemit, duke përfshirë edhe kujdesin shëndetësor parësor.

Masat afatshkurtra dhe afatmesme

-Përmirësimi i qeverisjes dhe financimit të shëndetësisë.

-Forcimi i kujdesit shëndetësor parësor duke përforcuar burimet njerëzore, infrastrukturën dhe diagnostikimin, shërbimet dhe duke shumëfishuar modelin e ri të kujdesit shëndetësor parësor, duke integruar kujdesin shëndetësor dhe social në shkallë komuniteti, duke financuar dhe duke rritur mbrojtjen financiare dhe cilësinë e kujdesit.

-Forcimi i shërbimeve për gratë dhe për të rinjtë, duke u fokusuar në mënyrë specifike tek ShSR.

Masat afatmesme dhe afatgjata

-Forcimi i koordinimit vertikal të shërbimeve shëndetësore, në të gjitha nivelet, duke ripërkufizuar menaxhimin klinik dhe duke krijuar kulturën e përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë.

-Forcimi i qëndresës ndaj emergjencave – forcimi i kapaciteteve thelbësore të vendit sa i përket IHR: Parandalim – Diktim – Reagim.

-Masat për parandalimin e pandemive dhe emergjencave në të ardhmen: Legjislacioni Kombëtar, Politikat, Financimi, Koordinimi i IHR, Komunikimi dhe Avokacia për sëmundjet e shkaktuara nga ushqimi, uji, zoonotika dhe sëmundjet e shkaktuara nga vektorët rezistenca antimikrobike, rritja e biosigurisë dhe imunizimit.

-Forcimi i kapaciteteve për diktimin e hershëm: Përforcimi i Sistemit Kombëtar të Laboratorëve, Survejimin të kohë reale, raportimi, shpërndarja e forcës së punës, rritja e kapacitetit të reagimit, operacionet e reagimit në rast emergjence, lidhja mes shëndetit publik dhe autoriteteve të sigurisë, kundërmasat mjekësore dhe shpërndarja e personelit, komunikimi i riskut dhe gjurmimi i kontakteve.

-Forcimi i gatishmërisë dhe i reagimit ndaj të gjitha rreziqeve, pikave të hyrjes (PeH), ngjarjeve natyrore, ngjarjeve kimike, emergjencave të rrezatimit.

-Mbështetja e forcimit të infrastrukturës së institucioneve të kujdesit shëndetësor, si dhe e ngritjes së kapaciteteve institucionale në nivel të qeverisë vendore.

1.4 MENAXHIMI I MBETJEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR

Është e mundur dhe inkurajohet shqyrtimi i sigurimit të kapaciteteve të reja të trajtimit të mbetjeve në kuadrin e periudhës post-krizë. Kombet e Bashkuara do të punojnë për avancimin e një qasjeje shumësektoriale për të garantuar rezultate më të mira shëndetësore përmes mbështetjes së sistemeve të qëndrueshme dhe rezistentë ndaj klimës të kujdesit shëndetësor. Kjo punë do të përfshijë fokusimin tek sëmundjet e komunikueshme dhe jo të komunikueshme përmes përmirësimit të menaxhimit të mbetjeve të kujdesit shëndetësor, aksesit më të mirë në ujësjellës dhe kanalizime, si dhe përpjekje të tjera që adresojnë lidhjet mes njerëzve, kafshëve, bimëve dhe mjedisit të tyre të përbashkët dhe klimës.

Masat afatshkurtra

-Hartëzimi i kapaciteteve ekzistuese të trajtimit të mbetjeve të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin.

-Trajnimi dhe rritja e kapaciteteve të landfill-eve, kompanive të menaxhimit dhe aktorëve të tjerë të interesuar lokalë, duke përfshirë edhe bashkitë për t’u përgatitur për një asgjësim të mirëinformuar të mbetjeve të kujdesit shëndetësor.

-Mund të përgatitet një njësi e veçantë brenda landfill-eve për mbetjet e gjeneruara nga epidemitë. Aplikimi i rregullave për transportimin e mbetjeve infektuese (dhe marrja e masave specifike për kushtet e krizave).

Masat afatmesme

-Mbështetja e politikave të bazuara në parimet e Marrëveshjeve Mjedisore Shumëpalëshe (sidomos në bazë të Konventës të Stokholmit për POPs ose Konventës së Minamatës për merkurin, hartimi i udhëzimeve dhe procedurave standarde të operimit.

-Analiza e dimensioneve ekonomike dhe e modeleve të biznesit për funksionimin e menaxhimit të mbetjeve të kujdesit shëndetësor për promovimin e partneriteteve publik privat.

-Trajnimi në mënyrë të veçantë për ndarjen/mbledhjen/transportimin e mbetjeve, përzgjedhjen e teknologjive të menaxhimit të mbetjeve të kujdesit shëndetësor, instalimin dhe funksionimin e pajisjeve.

-Mbështetja e mirëmbajtjes së pajisjeve.

-Ndërgjegjësimi dhe dimensione të tjera (të drejtat e njeriut, integrimi gjinor) bashkëpunimi jug-jug.

-Mbështetja e integrimit të teknologjive më të mira të disponueshme dhe praktikave më të mira mjedisore në procesin e prokurimit, si dhe mbështetja e proceseve të qëndrueshme të prokurimit.

-Forcimi i politikave dhe kuadrit ligjor dhe institucional për menaxhimin e merkurit.

-Reduktimi i përdorimit të produkteve që përmbajnë merkur dhe menaxhimi i shëndetshëm mjedisor për mbetjet e merkurit.

-Ndërtimi i kapaciteteve institucionale dhe ndërgjegjësimi lidhur me menaxhimin e merkurit

-Forcimi i angazhimit të sektorit shëndetësor në menaxhimin e shëndosh të merkurit.

Masat afatgjata

-Kryerja e një studimi të thelluar që do të vlerësojë situatën e prodhimit dhe trajtimit të mbetjeve spitalore në të gjithë vendin. Kjo do të japë një tablo të qartë të sasive të prodhuara, mënyrave dhe vendeve të mundshme të trajtimit të tyre, si dhe të kostove dhe tarifave për këto procese, por do të reduktojë gjithashtu edhe informalitetin në këtë sektor.

-Inicimi i një procesi kombëtar planifikimi në këtë fushë, i cili do të ofrojë kuadrin institucional dhe ligjor për menaxhimin e mbetjeve të kujdesit shëndetësor, sidomos të mbetjeve spitalore (kjo vlen veçanërisht për strukturat e trajtimit).

-Në bazë të opsioneve dhe teknologjive më të mira të disponueshme, hartimi i një plani për trajtimin e mbetjeve farmaceutike në vend, si p.sh. ofrimi i një kuadri institucional për menaxhimin e këtyre mbetjeve, shoqëruar me ofrimin e alternativave menaxhuese dhe edukuese për entet e prodhimit).

-Përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e kapaciteteve njerëzore për administrimin si duhet të mbetjeve spitalore.

-Prioritizimi i buxhetimit të nevojave të këtij sektori për investime afatgjata në menaxhimin e mbetjeve spitalore.

-Trajnimi i inspektorëve për kryerjen e inspektimeve në entet e prodhimit dhe trajtimit të mbetjeve, si dhe për kryerjen e inspektimeve të shpeshta (të paktën për 5 vitet e para) për të gjitha entet publike dhe private. Inspektimi duhet të nxisë zbatimin e ligjit.

-Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe simulimi i mbështetjes mes institucioneve lokale që kontrollojnë dhe monitorojnë situatën e mbetjeve spitalore).

-Informimi i sektorit, inspektimi dhe monitorimi i tij, si dhe raportet e vetëmonitorimit duhet të jenë transparente dhe të aksesueshme për publikun. /Monitor

Top Channel