Ish-agjenti saudit: Princi i kurorës dërgoi ekip atentatorësh në Kanada për të më vrarë

07/08/2020 14:54

Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, dërgoi një skuadër atentatorësh në Kanada për të vrarë një ish-agjent të lartë të inteligjencës saudite, pretendohet në një padi të ngritur të enjten në një gjykatë amerikane.

Në padinë prej 106 faqesh, ish-agjenti Saad Aljabri tha se princi i kurorës Mohammed bin Salman e dëshiron atë të vdekur sepse ai di shumë për “punët e korruptuara të princit”, si dhe krijimin e një grupi mercenarësh të quajtur “Skuadra e Tigrave”. Aljabri është banor i përhershëm i Kanadasë.

Veterani 39-vjeçar i inteligjencës saudite tha se Skuadra e Tigrave vrau gazetarin saudit Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Turqi në vitin 2018.

Në padi, ai shtoi se ai ka një marrëdhënie të ngushtë pune me inteligjencën amerikane dhe përmes zbulimeve mund të dëmtojë reputacionin e princit të kurorës në Washington duke shpalosur “punët ndyra të princit”.

Qeveria kanadeze nuk pranoi të komentojë padinë, por ministri i Sigurisë Publike, Bill Bler, tha se qeveria kishte njohuri për situata kur subjekte të huaja kishin kërcënuar kanadezët, si dhe njerëzit që banonin në vend.

“Është plotësisht e papranueshme dhe ne kurrë nuk do të tolerojmë aktorët e huaj që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Kanadasë ose sigurinë e qytetarëve dhe banorëve tanë”, tha Bler në një deklaratë.

Aljabri u arratis nga Arabia Saudite në vitin 2017, duke shkuar në Turqi dhe më pas Toronto, ku ai banon.

Kjo nuk është hera e parë që pretendohet se princi i kurorës ka vënë në shënjestër një banor kanadez për vrasje.

Më 22 qershor, një lajm në AA detajoi se si Omar Abdulaziz, një kritik i shquar i Arabisë Saudite që tani është në mërgim në Kanada, shkaktoi zemërimin e princit të kurorës së mbretërisë dhe autoritetet kanadeze paralajmëruan se ai mund të shënjestrohet pafundësisht për vrasje ose rrëmbim nga sauditët.

Ai gjithashtu iku në Kanada dhe tani publikon një program satirik në YouTube, që dallohet për kritikat e tij ndaj Arabisë Saudite.

Top Channel