Gjermani, rritje e rasteve me koronavirus/ Në fokus të kthyerit nga Kosova

07/08/2020 12:04

Ka disa ditë që Ballkani dhe Evropa Juglindore janë vendosur në fokus të mediave gjermane, pas rritjes së numrit të infektimeve të reja në Gjermani.

Nga rreth 8000 raste të reja infeksionesh, në Gjermani, sipas një tabele të Institutit Robert Koch të 28 korrikut, 800 raste janë persona të kthyer nga Evropa Juglindore, pra rreth 10%. Nga kjo javë kush kthehet në Gjermani nga zonat e rrezikuara, ku renditet edhe Ballkani, duhet të bëjë testin e koronavirusit.

Sidomos Kosova ka tërhequr vëmendjen e mediave, pas publikimeve të Institutit Robert Koch, që  e rendit atë si vendin me numrin më të madh të infektimeve të reja “nga jashtë”. Mediat gjermane përmendin si arsye kryesore ritualin e përvitshëm të udhëtimeve në vendlindje në pushimet e verës, ku jo pak vetë kthehen të infektuar. Edhe të dhënat e Institutit Robert Koch e mbështesin këtë, ku sipas tij, shumica e rasteve të reja lidhen me njerëzit që janë kthyer në Gjermani pas infektimit jashtë, dhe pikërisht në vendet e Ballkanit dhe Turqi.

Gazeta “Stuttgarter Nachrichten” shkruan, se numri i të infektuarve në Gjermani po rritet, dhe se çdo i pesti e ka sjellë virusin nga udhëtimet. “Së fundmi është rritur së tepërmi numri i të infektuarve nga Kosova”, shkruan gazeta. Sipas të dhënave nga 6 korriku deri në 4 gusht numri i udhëtarëve të infektuar nga Kosova krahasuar me javët e mëparshme është dyfishuar në 608 vetë. Megjithëse Kosova është ndër vendet me shifrat më të larta të infektimeve në Evropë ka shkruar së fundmi gazeta gjermane “Die Welt”, “disa kosovarë nuk tremben nga vizita në vendlindje”.

E kush viziton vendlindjen, viziton me dëshirë edhe miq e të njohur, me rrezikun përkatës të infektimit. “Familjet kosovare janë familje tipike të mëdha, ku mbahet kontakt i ngushtë me njëri-tjetrin”, shkruan gazeta gjermane.

 

 

 

Top Channel