Nëntë muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, procesi i rindërtimit në Durrës po përballet me vështirësi dhe reagimin qytetar për mungesën e transparencës dhe vlerësimin e gabuar të dëmeve në pallatet e tyre të banimit.

Banorë të pallateve të ndryshme të njësisë administrative nr.2 në qytetin bregdetar janë mbledhur para Bashkisë Durrës për të ngritur zërin dhe kërkuar rihapjen e aplikimeve, mes tyre dhe emigrantë të sapo kthyer në atdhe, si dhe rivlerësimin e dëmeve për banesat e tyre.

“Kërkojmë të drejtat tona për tërmetin. Jemi emigrantë dhe nuk kemi pas mundësi të aplikojmë për tërmetin për shkak të pandemisë. Kërkojmë të hapet tani në gusht për të aplikuar. Pallati ynë është në lagjen 8 dhe janë rreth 50 emigrantë si puna jonë që presin të aplikojnë. Kemi bërë një peticion për bashkinë e Durrësit dhe Ministrinë e Rindërtimit për të rihapur aplikimin.”

“Kam ardh më 25 korrik për të bërë aplikimin, po aplikimet ishin mbyllur. E dinë të gjithë që Lombardia ka qenë e mbyllur. Duam të bëjmë aplikimin e s’e bëjmë dot. S’na kanë thënë asgjë, vetëm prisni se mund të hapen prapë.”

Banorë të një tjetër pallati janë ndjerë të përjashtuar nga i gjithë procesi i aplikimit në “Shtëpia ime” dhe përfitimit nga grantet e rikonstruksionit, ndaj gjithashtu kërkojnë zbatimin e parimit të barazisë dhe transparencës dhe hapjen e aplikimeve për ta.

“Pallati është i dëmtuar, i klasifikuar DS3 dhe nuk jemi trajtuar as me grant, as me bonusin e qirasë. Na kanë thënë në njësinë administrative të ankohemi në bashki, që të hapet përsëri aplikimi

“Unë jam banor i lagjes 7. Jemi pallate të ndryshme. Përveç tërmetit ne na ndodhi dhe fatkeqësia më e madhe. Nga shembja me shpërthim e pallatit DS2 pranë nesh na u shkaktuan dëme të tjera. Duam të hapet aplikimi. Pallati është nxjerrë DS3 i pabanueshëm dhe duam të hapen aplikimet. Është faji i komunës (njësisë administrative).”

“Nuk na ka lajmëruar askush që të aplikojmë e të mund të përfitojmë. Prej pak ditësh e kam marrë vesh. Disa komshinj kanë aplikuar dhe kanë përfituar dhe s’na kanë thënë gjë. Tani na thonë është mbyllur aplikimi, por askush nuk na ka njoftuar, ndaj duam të rihapet.”
Ndërkaq një tjetër qytetare, në emër të banorëve të pallatit të saj shpreh një tjetër shqetësim, që lidhet me vlerësimin e dëmeve në pallatin e saj të konsideruar me dëme të rënda në strukturë dhe ndërprerjen arbitrare të bonusit të qirasë.

“Ne sot marrim vesh që bonusi për DS1 dhe DS2 është ndërprerë. Bonusi ndërpritet. Kontratën nuk kam si ta firmos për aq para. Kam një akt ekspertize nga Tirana që flet për përforcim themeli. Dua që të vazhdojë bonusi dhe të vlerësohet pallati. Si mund të futem në shtëpi e të bëj unë riparime suvaje me 2,5 mln lekë kur pallati është i amortizuar dhe inklinuar. Të futem në shtëpi e të rrezikoj jetën?! ”

Top Channel