Ekonomia e Suedisë përballon më lehtë koronavirusin

05/08/2020 18:40

Suedia, e cila ka anashkaluar izolimin në kohën e shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, është përballur me tkurrje ekonomike prej 8.6 për qind në periudhën prill-qershor në krahasim me periudhën paraprake.

Të dhënat e publikuara nga Zyra e Statistikave në këtë shtet kanë treguar se Suedia është në situatë më të mirë sesa vendet tjera të Bashkimit Evropian që kanë marrë masa më të ashpra kundër koronavirusit.

Megjithatë, këto shifra janë më ulëtat për Suedinë në të paktën 40 vjet.

Ndërkohë, vetë BE-ja ka thënë se ka përjetuar tkurrje ekonomike prej 11.9 për qind për periudhën e njëjtë kohore.

Kombet tjera individuale kanë raportuar shifra edhe më të dobëta të tkurrjes ekonomike, përkatësisht Spanja 18.5 për qind, Franca 13.8 për qind dhe Italia 12.4 për qind.

Autoritetet suedeze e kanë lënë në duart e qytetarëve vendimin për respektim të distancimit fizik prej shpërthimit të koronavirusit, duke përfshirë edhe punën nga shtëpia dhe anashkalimin e transportit publik.

Ndonëse bizneset kanë vazhduar punën në Suedi, ekonomia e këtij shteti varet shumë nga eksportet, të cilat janë goditur nga mungesa e kërkesës përgjatë kësaj periudhe.

Mirëpo pavarësisht tkurrjes, Suedia ende nuk është ne recesion, meqë në çerekun e parë të vitit ka raportuar rritje ekonomike prej 0.1 për qind.

Një ekonomi konsiderohet se është në recesion nëse tkurret për dy çerekë të njëpasnjëshëm.

Disa parashikime tregojnë se ekonomia suedeze do të tkurret për 5 për qind këtë vit.

Top Channel