Nuk është shumë e vështirë të ruash distancën sociale në një plazh që praktikisht është i zbrazët.

Ibiza, është një nga destinacionet më popullore për festa në Mesdhe, por këtë vit është bërë shumë e heshtur. Si edhe shumë vende të tjera në botë, ishujt Baleare po lëngojnë nën koronavirusin. Mijëra dhoma në hotele dhe apartamente, janë bosh. Klubet e famshme janë të mbyllura.

Për shumë biznese, sezoni është thuajse i humbur. E kjo, është vera më e keqe në historinë e turizmit në Spanjë, një sektor ky që zë 13 për qind të GDP dhe akoma më shumë në ishuj e bregdet. Izolimi i fundit dhe paralajmërimet kundër udhëtimeve në Spanjë nga mbretëria e bashkuar, Franca dhe gjermania, janë një goditje fatale, diçka që shumë turistë dhe banorë në Ibiza e kanë të vështirë ta kuptojnë.

“Nuk ishte e nevojshme. Ka shumë pak raste në Ibiza dhe në ishujt Baleare krahasuar me Britaninë. Këtu jemi shumë më të sigurt se në shtëpi”, tha një turist.

Rastet janë shtuar në fakt në Baleare javët e fundit, por ato janë ende nën kontroll. Si pasojë, shumë banorë të ishujve ndjehen keq me këshillat për të mos udhëtuar atje. Përkundrazi, ata mendojnë, se janë ata që rrezikojnë përmes lejimit të turistëve.

Top Channel