Kukësi dhe Zderic në CAS/ Nënkampionët: Nuk kemi asnjë dënim, merkato e hapur

02/08/2020 20:13

Lajmi se çështja e Filip Zderic mund të bllokojë merkaton e verës së klubit të Kukësit ka shqetësuar jo pak trajnerin e ri Skënder Gega dhe jo vetëm.

Burime pranë skuadrës verilindore të kontaktuar nga Top Channel sqarojnë se FIFA nuk ka bllokuar merkaton dhe se nuk ka asnjë dënim ndaj skuadrës nënkampione të Shqipërisë. Sipas tyre bëhet fjalë për një çështje që ka ndodhur që në muajin qershor dhe që mbetet në proces. Bëhet fjalë për një mosmarrëveshjeje të ish-lojtarit kroat Filip Zderic dhe skuadrës së Kukësit.

Një gjobë e vënë ndaj tij për mos paraqitje në stërvitje dhe në fazën përgatitore në Slloveni në prag të sezonit 2018/2019 dhe paga e mos paguar pas largimit të trajnerit austriak Peter Pakult, ka sjellë këtë përshtjellim të situatës. Avokati i Zderic i ka kërkuar drejtuesve të skuadrës së Kukësit që t’i paguajnë dy rrogat e padhëna për sezonin e parë që Zderiç ka qenë prezent në skuadër, 8 mijë euro për dy paga , si dhe të shlyejë gjithë sezonin që i është ndërprerë kontrata, ku bëhet fjalë për një shifër rreth 48 mijë euro. Por skuadra e Kukësit i është përgjigjur kërkesës së avokatit të tij që ka ardhur pas vendimit të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FIFA me një apelim, ashtu siç e parashikon çdo vendim, në gjykatën e arbitrazhit sportiv.

Siç shihet apelimi për në CAS skuadra e Kukësit e ka bërë në muajin qershor dhe deri në shqyrtimin e saj, po sipas burimeve brenda klubit, nuk ka asnjë lloj mundësie që merkato e tyre të bllokohet, aq më pak sa i përket merkatos së kësaj vere. Gjithashtu Filip Zderic, sipas drejtuesve të klubit së Kukësi përpara largimit ka firmosur edhe një dokument ku pohon se i-sh skuadra e tij nuk i ka asnjë detyrim, për këtë arsye skuadra e Kukësit paralelisht me çështjen në CAS, ka hapur dhe një çështje tjetër në Dhomën e Zgjidhjeve të konflikteve në FIFA ndaj futbollistit.

Top Channel