Dita e fundit e Haxhit/ Kundër djallit me gurë të sterilizuar

02/08/2020 12:26

Te dielën përfundon pelegrinazhi i Haxhit në Arabinë Saudite, që këtë vit, u zhvillua si asnjëherë tjetër.

Në etapën e fundit të Haxhit, pelegrinët myslimanë morën në duar gurë të dezinfektuar ndërsa qëllonin me ta djallin, në ritualin e fundit të rëndësishëm të Haxhit, që mbreti saudit pranoi se kish qenë shumë i vështirë të organizohej në mesin e pandemisë së koronavirusit.

Turmat masive të viteve të shkuara shkaktonin humbje jete për shkak të shkeljes me këmbë gjatë ritualit, por këtë vit, vetëm rreth 10 mijë myslimanë morën pjesë në Haxh pasi miliona pelegrinë të huaj nuk u lejuan.

Nën temperatura përvëluese, besimtarët ecën përmes luginës së Mina-s, afër mekës, nën sytë e kujdesshëm të forcave të sigurisë, për të poshtëruar në mënyrë simbolike djallin.

Pelegrinë me maska mbrojtëse, të veshur me të bardha, dhe të distancuar me njëri tjetrin, qëlluan me gurë murin që simbolizon djallin.
Në vend që ti mblidhnin gurët vetë, si në vitet e shkuara, atyre u jepeshin gurë të sterilizuar nga autoritetet, për ti mbrojtur nga koronavirusi.

Mbajtja e ritualit nën hijen e pandemisë, kërkonte përpjekje të dyfishta të autoriteteve saudite. Haxhi është një nga pesë shtyllat e islamit dhe një detyrim për myslimanët, të paktën një herë në jetë. Ai është zakonisht një nga tubimet më të mëdha fetare në botë.

Top Channel