Plani i Nju Jorkut, shkollat të hapen në shtator

01/08/2020 13:16

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut parashtroi planin e administratës së tij për të rihapur sistemin më të madh të shkollave publike në Shtetet e Bashkuara në shtator, pasi ish-vatra e nxehtë e koronavirusit e ka vendosur tashmë nën kontroll nivelin e infeksionit.

“Çdo gjë që bëjmë do të përqendrohet në shëndetin dhe sigurinë – shëndetin dhe sigurinë për fëmijët tanë, familjet tona, arsimtarët tanë, stafin e shkollave tona”, tha kryebashkiaku Bill de Blasio. 1.1 milion nxënës të shkollave publike të Nju Jorkut u dërguan në shtëpi në mes të marsit kur koronavirusi mbërtheu qytetin.

Zyrtarët vepruan shpejt për të zhvendosur mësimin online, duke marrë qindra mijëra kompjutera dhe tableta për nxënësit me të ardhura të ulëta dhe duke i pajisur ata me internet. Përpjekja ishte e përmasave herkuliane, u përball me sfida të shumta dhe u prit me vlerësime të përziera. Por zyrtarët dhe prindërit pajtohen se mësimi në distancë nuk mund të zëvendësojë përvojën e klasës. Qyteti mori 400’000 përgjigje për një anketim dhe de Blasio tha se 75% e prindërve dëshirojnë që fëmijët e tyre të kthehen fizikisht në klasa.

Ekspertët kanë zgjedhur modelin për një kthim të ndërthurur, me dy ose tre ditë në shkollë cdo javë. Gjatë ditëve të tjera, mësimi në distancë do të vazhdojë në mënyrë që të kufizohet numri i nxënësve në shkollë. Por mësimi në distancë me kohë të plotë do të jetë në dispozicion për çdo familje që e preferon si opsion.

Top Channel