Pandemia Covid-19/ Kryeministri britanik frenon zbutjen e masave

01/08/2020 12:34

Njerëzit që ishin mbyllur në shtëpi për tu mbrojtur nga koronavirusi tani mund të dalin nga shtëpia dhe të kthehen në punë, por zbutja e mëtejshme e kufizimeve të marra në Angli, është shtyrë.

Më shumë se 2 milionë njerëz më të rrezikuar nga virusi nuk do të duhet të izolohen më gjatë në pjesën më të madhe të Anglisë, Skocisë dhe Irlandës së Veriut. Kjo vjen pasi kryeministri ndali zbutjen e mëtejshme të kufizimeve dhe disa biznese mbeten të mbyllura.

Zyrtarët e shëndetësisë në Angli kanë paralajmëruar se Britania e madhe ka arritur kufirin e heqjes së kufizimeve ndërkohë që rastet e reja rriten. Ideja e hapjes së gjithçkaje dhe mbajtjes së virusit nën kontroll, është e gabuar – thonë ata. Vështirësi autoritetet kanë në marrjen e një vendimi për hapjen e plotë të shkollave në vjeshtë, por ekspertët thonë se po punojnë shumë për këtë.

Kur izolimet nisën në mars, ata që konsideroheshin si ekstremisht klinikisht vulnerabël, ose rreth 2.2 milionë njerëz në Angli, u këshilluan të qëndronin në shtëpi e të mbroheshin për të evituar prekjen nga covid 19. Njerëzit e kategorive të rrezikuara janë ata që kanë patur transplante organesh, që marrin ilaçe që dobësojnë imunitetin, që bëjnë kemioterapi apo radioterapi ose që kanë sëmundje agresive të frymëmarrjes. Tani ata mund të kthehen në punë, nëse nuk munden të punojnë nga shtëpia me kusht që vendi i tyre i punës të jetë i sigurt nga covidi. Ajo që vazhdon të këshillohet është ruajtja e distancës sociale kur janë jashtë.

Shifrat e publikuara të premten në Britani tregonin se shkalla e infektimeve në Angli po rritet, me rreth 4200 infektime të reja në ditë, krahasuar me 3200 një javë më parë. Sidoqoftë, niveli i infektimeve mbetet dukshëm më i ulët nga sa ishte në kulmin e pandemisë. 120 persona të tjera kanë humbur jetën të premten nga covid 19 duke e çuar totalin në 46119.

Top Channel