Vaksina amerikane në shënjestër/ Zyrtarët në SHBA se hakerat e lidhur me qeverinë kineze tentuan ti vjedhin

31/07/2020 19:51

Një zyrtar amerikan i sigurisë tha se disa hakera të lidhur me qeverinë kineze, vunë në shënjestër më herët këtë vit kompaninë bioteknike Moderna Inc, që merret me kërkime për vaksinën e koronavirusit, në përpjekje për të vjedhur të dhënat.

Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi ngritjen e akuzave për spiunazh ndaj dy shtetasve kinezë, duke përmendur se në shënjestër të tyre ishin tre objektiva të panjohura në SHBA që merreshin me kërkime mjekësore për të luftuar pandeminë COVID-19. Në aktakuzë thuhet se në janar hakerat kinezë “kryen vëzhgime” ndaj rrjetit kompjuterik të një firme bioteknike në shtetin Masaçusets, e cila dihet që merret me kërkime për vaksinën.

Moderna, e cila e ka qendrën në Masaçusets dhe ka njoftuar se po zhvillon njërën nga vaksinat kandidate, konfirmoi se kishte qenë në kontakt me FBI-në dhe ishte vënë në dijeni të aktiviteteve të dyshuara të hakerëve. Ekspertët e sigurisë në internet thonë se aktivitetet e vëzhgimit nga hakerët mund të përfshijnë një gamë të gjerë veprimesh, përfshirë hyrjen në faqet publike online për të gjetur të çara ku mund të depërtojnë e deri te përpjekjet për të zbuluar informacionin e llogarive të rëndësishme online.

“Moderna mbetet shumë vigjilente ndaj kërcënimeve të mundshme në internet,” tha zëdhënësi i kompanisë Ray Jordan, duke mos dhënë hollësi të tjera. As zyrtari amerikan i sigurisë nuk dha hollësi.

FBI dhe Departamenti amerikan i Shëndetësisë nuk pranuan të zbulojnë identitetet e kompanive të vëna në shënjestër nga hakerat kinezë. Vaksina për të cilën po punon Moderna është ndër kandidatet më të hershme dhe administrata Trump ka varur mjaft shpresa te kjo kompani për të luftuar pandeminë.

Top Channel