Kukësi e mbyll sezonin pa trofe/ Drejtori teknik i skuadrës bën analizën e ekipit

31/07/2020 21:56

Vendi i dytë në kampionat dhe asnjë trofe për skuadrën e Kukësit duket se përmbledhja e sezonit ka një rezultat negativ, për të mos e konsideruar tërësisht një sezon zhgënjyes. Në një intervistë për Top Channel, drejtori i klubit verilindor Nderim Nexhipi analizon.

“Unë vitin e shkuar e konsiderova gjysmë të suksesshëm pasi morëm vendin e dytë dhe Kupën e Shqipërisë. Ndërsa këtë sezon që e mbyllëm pa trofe dhe unë vetë nuk e quaj dot të suksesshëm. Pasi edhe ekipi por edhe ambiciet e klubit janë që të fitojnë të paktën një trofe.”

Cfarë mungoi sipas jush?

“Unë personalisht si drejtor i klubit si Nderim Nexhipi unë mendoj që e vetmja arsye që ne nuk u shpallëm kampion këtë vit është mos lozja në Kukës, asgjë tjetër.”

Për kë ju vjen më tepër keq nga lojtarët që u larguan?

“Padyshim që ikja e Shkurtajt dhe Abazaj, është një gjë që na duhet ta kompensojmë, pasi po na ikin dy lojtar kyç të ekipit.”

Për kë do të kishe më shumë rezerva?

“Të them të drejtën unë di se çfarë kualiteti ka Gavazaj. Ai nuk është që ka bërë një sezon shumë të mirë me ne sepse të gjithë e dinë potencialin që ka ai.”

Vetëm 24 orë më parë emëruat trajnerin e ri, Skënder Gega.

“Për trajnerin Gega nuk kemi se çfarë të themi më shumë opinioni e njeh. Ekipin e fundit që ka drejtuar, Partizanin e shpalli kampion. Cdo trajner që kemi marrë kushtet mbeten të njëjtat që i përmend edhe presidenti shpesh. Të gjithë i dinë ambiciet e Kukësit dhe që çdo vit lufton për titullin.”

“Në listën e lojtarëve që pretendoni të merrni ka lojtarë nga Partizani me qenë Gega ka drejtuar atë skuadër së fundmi apo nga Tirana me që ata u shpallën kampion”?

“Të them të drejtën për momentin nuk kemi në listën tonë lojtarë as nga Partizani as nga Tirana.”

Top Channel