Conte: Ndaj Atalantës pa llogari, prisni gola dhe spektakël!

31/07/2020 22:49

Antonio Conte shfaqet optimist në prag të sfidës me Atalantan, në një duel direkt për vendin e 2-të në Itali. Trajneri i Interit foli me superlativa për skuadrën e Gasperinit, por në të njëjtën kohë theksoi se pret një ndeshje shumë të bukur për t’u ndjekur dhe pa asnjë llogari brenda.

Conte në ditën e 51-vjetorit të tij nënvizoi se dueli ndaj Atalantës do të jetë një test shumë i mirë për skuadrën e tij, edhe përsa i përket Europa Leagues me Interin që do të përballet me Getafen në datë 5 gusht.

“Ka qenë një vit shumë impenjativ, përvojë që na ka krijuar shumë lodhje. Megjithatë ka aspekte pozitive te të cilat mund të bazohemi në të ardhmen. Atalanta? Shpresoj të shijojmë një ndeshje të bukur. Të dy ekipet do të luajnë një futboll të hapur dhe pa llogari. Atalanta është bërë një realitet solid në Itali, duke parë rrugëtimin që kanë bërë në vitet e fundit. Do vuajmë, por objektivi ynë është që t’i bëjmë ata të vuajnë. Mbrojtja më e mirë kundër sulmit më të mirë? Gjithmonë tentoj që skuadra të ketë një ekuilibër të mirë midis mbrojtjes dhe sulmit. Atalanta ka shënuar shumë gola, ka lojtarë cilësorë që kanë merita të mëdha. Ne jemi mbrojtja më e mirë dhe sulmi i dytë më i mirë. Do të jetë një sfidë brenda sfide“, deklaron Conte.

Top Channel