Superiorja ul siparin/ Tirana, festë e titull pa tifozë

29/07/2020 10:16

Kategoria Superiore ul sot siparin e sezonit futbollistik me 5 ndeshjet e fundit të kampionatit të ndara në 3 fasha orare.

Me verdiktet thuajse të zyrtarizuara në çdo aspekt, fokusi do të jetë në orën 19:00 në stadiumin Air Albania ku Tirana do të luajë ndaj Bylis. Bardheblutë do të fokusohen te festa më shumë sesa pikët ndaj ballshiotëve, por entuziazmit të titullit, do ti mungojë pjesa kryesore, tifozët.

Në përfundim të ndeshjes Tirana-Bylis do të zhvillohet edhe ceremonia e dorëzimit të titullit kampion. Federata e Futbollit insiston se është kujdesur dhe ka marrë masa që fituesve të trofeve t’u rezervohet ceremoni sa më dinjitoze dhe të respektohen siç u takon. Por njëkohësisht është fokusuar edhe te zbatimi i protokollit shëndetësor të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.

Sezoni I futbollit do kompletohet në 2 gusht kur do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, KF Teuta-KF Tirana. Edhe kjo sfidë do të luhet në stadiumin “Air Albania” duke filluar nga ora 20:00. Duke qenë në kushtet e pandemisë, siç dihet ndeshjet do të zhvillohen pa praninë e tifozëve dhe ceremonitë e trofeve do të jenë të modifikuara, edhe në dorëzimin e medaljeve dhe mirënjohjeve.

Top Channel