Protestë në Durrës/ Banorët e një pallati të dëmtuar nga tërmeti, të pakënaqur me grantin e dhënë

28/07/2020 12:31

Tetë muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, mjaft banorë të dëmtuar nuk ndjehen të kënaqur me procesin e vlerësimit të dëmeve, ndërkohë që në Bashkinë e Durrësit vijon lidhja e kontratave mes bashkisë dhe qytetarëve, si dhe shpërndarja e grantit të konstruksionit për riparimin e banesave të dëmtuara në nivelet DS1, DS2 dhe DS3. Paraditen e sotme banorët e një pallati të dëmtuar rëndë nga tërmeti kanë protestuar para bashkisë së Durrësit.

Ata refuzojnë të marrin grantin e rikonstruksionit për nivelin DS3 duke e konsideruar të pamjaftueshem, ndërsa kërkojnë ekspertizë të thelluar të pallatit.

“Jemi këtu për sigurinë e jetëve tona. Në ekspertizën e fundit thuhet se duhet një rivlerësim i thelluar. Pallatin na e kanë nxjerrë DS3, po asnjë grup ekpertësh nuk ka thënë të njëjtën gjë me tjetrin. Ne duam që të jemi të sigurtë se apartamenti mban. Sipas bashkisë, vendimi është marrë dhe pallati është DS3 e duhen riparime. Situata nuk është aq e lehtë sacc duan ta bëjnë. Nëse kërkesa jonë për rivlerësim tjetër nuk merret parasysh ne do të vazhdojmë të protestojmë thuajse ccdo ditë.”

“Ne jemi një pallat prej 60 familjesh dhe ai është shpall i pabanueshëm… Është kërkuar analizë e thelluar të strukturave të pallatit dhe studim gjeologjik. Vazhdohet me dhënien e granteve që janë sa për të kaluar rradhën. Në gjykimin tonë pallati është gati për shembje. Duhet parë nga instancat që po bëjnë shurdhin. Ka një VKM që qeveria ka marrë përsipër riparimet dhe rindërtimet e pallateve me fonde të donatorëve, ndërsa ne duan të na japin dëmshpërblime qesharake. Absurditeti ka arritur në nivele kulmore.”

“Nuk mund të qeveriset me delegim një bashki që po përballet me pasojat e tërmetit.”

“Me 500 mijë lekë unë nuk bëj dot gjë. Jam kati II dhe nuk bëj dot asgjë me to. Nuk i marr ato para, as unë, as komshijtë e mi. Edhe sikur ta riparoj shtëpinë nuk jam e sigurt për atë shtëpi. Pritëm 8 muaj nga shteti dhe na vlerësuan me 500 mijë lekë.”

Në Bashkinë Durrës bëjnë të ditur se do të kërkohet ekspertizë e thelluar për këtë pallat në përgjigje të shqetësimit të banorëve. Kjo procedurë është ndjekur edhe për disa pallate të tjera të nivelit DS3, për të cilat banorët kanë kërkuar ekspertizë të thelluar. Me mbërritjen e rezultatit të ekspertizës do të konfirmohet niveli i dëmit për të vazhduar me procedurat e mëtejshme. Tërmeti që goditi Durrësin më 26 nëntor shkaktoi dëme në mbi 7700 objekte banimi, godina publike dhe biznese në të gjithë territorin e bashkisë.

Top Channel