Shefi i ekzekutivit, Avdullah Hoti iu është përgjigjur kritikave që ka dhënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj lidhur me kufizimet e vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ndërkohë, që ka deklaruar se procesi i dialogut me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është duke u zhvilluar në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai gjatë vizitës sot në Forcën e Sigurisë së Kosovës së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemajn tha se fjalën e fundit për masat duhet ta japin profesionistët shëndetësorë.
“Në qeveri jemi duke shqyrtuar një listë të re të masave të propozuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, jemi në proces. Unë e kam thënë gjithmonë bash me ministrin, ne do t’i respektojmë plotësisht rekomandimet që na vijnë nga profesionistët shëndetësorë në përputhje me situatën në të cilën gjendemi. Do të bëjmë të gjitha konsultimet e nevojshme me të gjithë partnerët e koalicionit, por edhe me akterë të tjerë me Shoqatën e Gastronomëve. Ata kanë pasur një protestë i kam takuar dhe po mundohemi t’i harmonizojmë të gjitha qëndrimet edhe pozicionet që i kanë gjithmonë në funksion të menaxhimit të situatës. Por ju them që fjalën e fundit duhet ta japin profesionistët shëndetësorë”, ka deklaruar ai.
Hoti po ashtu ka bërë të ditur se edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe se sipas tij, pa mbështetjen ndërkombëtare Kosova nuk mund të anëtarësohet në asnjë organizatë.
“Çdo anëtarësim i Kosovës në organizata ndërkombëtare bëhet gjithmonë në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, kjo është e vërteta… Ne jemi dakorduar që në këtë proces të rrugëtojmë bashkë sepse e dimë që po nuk e patëm këtë mbështetje ne nuk mund të qojmë përpara këtë agjendë të anëtarësimeve në organizata”, ka shtuar Hoti.
Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur se vazhdon koordinimi me SHBA-të rreth dialogut me Serbinë.
“Procesi i dialogut që është duke u zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësim të BE-së është plotësisht i koordinuar me ShBA”, ka deklaruar Hoti.
Top Channel