​Deputetët e LDK-së mohojnë pretendimet e Gjyshinces: Asgjë nuk është e vërtetë

28/07/2020 18:57

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë mohuar se janë përfshirë në një incident me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca.

Përveç që nuk kanë bërë një gjë të tillë, ata kanë mohuar që kanë përdorur gjuhë të ashpër. Të njëjtit kanë kërkuar nga deputeti i LVV-së që të publikojë videon të cilën e kishte bërë pas daljes nga salla ku po mbahet mbledhja e komisionit.Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, për të cilin deputeti Gjyshinca tha se bashkë me Kujtim Shalën e Doruntinë Malokun e kanë sulmuar në krahun e djathtë, tha se mbledhja e këtij komisioni ka qenë e tensionuar. Këto tensione Gashi tha se janë shfaqur mes deputetëve të LVV-së dhe ministres së Punëve të Jashtme, e kryetares së komisionit.

“Nuk jemi përfshi në këto debate, unë kam folur një herë për procedurë, jam munduar të ndihmojë kryetaren e komisionit që të vendos rregull në mbledhje të komisionit. Pastaj ka pasur një diskutim të nënkryetarit të Kuvendit, deputetit Kujtim Shala dhe pas diskutimit, i cili nuk kishte të bënte asgjë me deputetin Gjyshinca, ai ka filluar me ofendime siç keni mundur të shihni edhe në transmetimin që është bërë. Për këtë arsye kryetarja e komisionit ka vendosur që të ndërpritet mbledhja e komisionit. Dhe ne jemi qu kemi dal jashtë prej mbledhjes së komisionit. Dhe në diskutime në korridor, deputeti Gjyshinca dhe deputetja Pacolli shfaqen një gjuhë agresive dhe ne u larguam prej aty, siç mund të demonstrojmë edhe në videon ku ka incizuar vetë deputeti Gjyshinca, që është mirë me publikua. Dhe videot që i ka korridori i kuvendit ku shihet çdo gjë. Unë mendoj që është një fluks e cila po ngritët nga LVV pa arsyeshëm, dhe po e dëmton qëllimshëm reputacionin e kuvendit, dhe mbi të gjitha të deputetëve të LDK-së”, ka thënë Gashi.

Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala thotë se një rast i tillë nuk ekziston dhe se pamjet e Kuvendit të Kosovës do ta vërtetojnë një gjë të tillë.

“Askush, askënd, as fizikisht, as verbalisht. Ju mund të keni qenë edhe në sallë, unë në sallë nuk jam kundërpërgjigj, po ashtu nuk kam thënë asgjë që mund të konsiderohet të asaj natyre as në korridor. I gjithë rasti nuk ekziston dhe kjo do të dëshmohet, meqë po hetohet. Pra, ambientet e kuvendit që të gjitha monitorohen, xhirohen, apo regjistrohen 24 orë dhe do të dëshmohet e gjithë ajo që ka ngjarë, që nuk ka të bëjë aspak me atë që pretendon LVV. Pra asgjë nuk ka të vërtetë”, ka shtuar Shala. Shala ka pohuar se janë intervistuar nga Policia e Kosovës për këtë rast, duke shtuar se një gjë e tillë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje është politike. /Kosova Press/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA