Italia mendon play off-in/ 9 tituj radhazi, ligë e mërzitshme

27/07/2020 13:57

Me 9 tituj radhazi kampion që shkojnë në të njëjtën skuadër, shpeshherë ligën e kaplon monotonia, por nëse kjo shkon në numrin 10 sezonin e ardhshëm, ekspertët e futbollit italian mendojnë zgjedhje alternative.

Juventus e rikonfirmoi fronin e serisë A dy javë nga fundi pas suksesit 2-0 ndaj Sampdorias por hipoteza e një faze Play Off që po merrte kuota gjatë kohës së ndërprerjes nga pandemia, tani ka ridalë në skenë edhe më fuqishëm.

Shumë tifozë në Itali kërkojnë një sezon më të luftuar nga pikëpamja sportive, pa sigurinë e zgjidhjes së verdikteve në fazë të hershme. Shumëkush kërkon adrenalinën e javës finale por në serinë A kjo është venitur këtë vit, ashtu si në 8 kampionatet e kaluar.

Ashtu si në kohën e “lockdown”Federata po mendon që ndoshta të aplikojë një diskutim për titullin dhe kupat evropiane mes ekipeve të para, dhe një fazë play out për ato që janë në zonën e rënies, por pa përcaktuar direkt ekipin që bie.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Play Off janë një normë dhe pak rëndësi ka se për cfarë disipline sportive bëhet fjalë, basket, futboll apo edhe futbolli karakteristik i NFL. Në Evropë, dy kampionate në nivelit të kënaqshëm kanë zgjedhur këtë opsion, ai belg dhe ai skocez, por për ta aplikuar këtë në serinë A, do të duhet konsensusi që vështirë se arrihet në këtë verë të trazuar.

Top Channel