“Gjithçka është e mundur”/ Gjiknuri për listat e hapura: E rëndësishme që opozita u kthye në negociata

24/07/2020 20:21

Damian Gjiknuri pas mbledhjes së Këshillit Politik ndau detajet për ato se çfarë u diskutuan për dakordësinë e palëve për hapjen e listave.

Deklarata e dhënë për median nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik

Së pari, më lejoni që tu bëj një prezantim të shkurtër të qëndrimit të Partisë Socialiste në lidhje me ato çka u propozuan sot, ishte një dokument politik pasi nuk është se erdhën me amendime të caktuara. Një gjë është për tu përshëndetur, që risitë kushtetuese apo ndryshimet kushtetuese që po shqyrtohen në Kuvendin e Shqipërisë janë gjetur me vend edhe nga opozita jashtëparlamentare. Pse e them këtë? Sepse në dokumentin e tyre politik që sollën sot në Këshill, ata mbështesin hapjen e listave të kandidatëve. Amendimet e sotme kushtetuese nuk e pengojnë atë çka kërkon opozita e bashkuar jashtëparlamentare, pasi këto amendime mundësojnë hapjen e listave dhe ja delegojnë Kodit Zgjedhor këtë për ta rregulluar. Kjo ishte risia e parë.

Së dyti, ka rëndësi që Partia Demokratike dhe opozita e drejtuar prej saj u kthye në tavolinën e negociatës, megjithëse fatkeqësisht duke humbur kohë. Kanë mbi një muaj që kundërshtojnë një iniciativë që tashmë po e përshëndesin, pra për hapjen e listave. Koha nuk ndalon dot kur ata janë kundër dhe të rifillojë sa herë që Partisë Demokratike ti kthehet mendja. E rëndësishme është që ndryshimet që kanë ndodhur mbi amendimet fillestare të paraqitura adresojnë edhe shqetësimet e opozitës të cilat i delegohen Kodit Zgjedhor. Së pari, mundësojnë hapjen e listës së kandidatëve, pra vota parapëlqyese sanksionohet dhe së dyti, çështja e aleancave, koalicioneve, partive dhe mënyrën se si do të grupohen partitë politike në garë elektorale. Siç u përmend dhe aty le të zgjedhin modelet aktuale perëndimore të cilat kanë përshtatur hapjen e listave dhe njëkohësisht lejojnë aleancat sipas rregullimeve që bëjnë pjesa më e madhe e vendeve. Këto gjëra do të rregullohen në Kodin Zgjedhor sepse Kodi i ka të gjitha mundësitë. Ne sëbashku me opozitën qoftë atë parlamentare apo atë jashtëparlamentare jemi të gatshëm që ti detajojmë të gjitha këto rregulla në mënyrë që të kemi një administrim sa më të thjeshtë e të qartë të zgjedhjeve. Duhet thënë se hapja e listave ka sfida të mëdha administrative përtej shqetësimeve që mund të kenë ngritur edhe të tjerë. Ka sfida edhe nga pikëpamja e menaxhimit ndaj duhet shumë kujdes dhe tek mënyra se si formohen koalicionet dhe të gjitha aspektet të cilat vetëm Kodi Zgjedhor do të mund ti rregullojë siç duhet.

z.Gjiknuri, Partia Demokratike kërkon ruajtjen e koalicioneve në formën aktuale. A mund të bëhet kjo? A pranoni ju të bëhet?

Nuk kemi gjetur dhe ja kërkuam edhe ekspertizës, le të na gjejnë modele të vendeve të cilat kanë lista të hapura, proporcional rajonal në mënyrën siç e kemi ne dhe që kanë koalicione të tilla zgjedhore. Deri më tani nuk kemi gjetur. Le të marrim modelet e vendeve që kanë jemi të gatshëm që të gjejmë modelin që të na përshtatet.

Z.Gjiknuri, duket se problemi nuk janë listat por koalicionet?

Problemin varet se si e shikon. Ajo çka është sanksionuar aty dhe që është risia më e madhe e ndryshimeve kushtetuese është hapja e listave. Kjo ka qenë e debatueshme për një pjesë të politikës, përfshirë edhe mua që kam patur skepticizmin tim, dhe nuk e mohoj. Në fund të fundit triumfon vullneti i shumicës se hapja e listave ka një kërkesë tashmë të gjithëpranuar, mbi të gjitha edhe nga opozita jashtëparlamentare. Kështu që të gjitha shqetësimet politike që mund të kenë, ato duhet të trajtohen tek Kodi Zgjedhor.

z.Gjiknuri a mjaftojnë 6 ditë kohë për këtë?

Shikoni, a doli njeri që të thotë që formulimet aktuale të ndryshimeve kushtetuese pengojnë hapjen e listave siç kërkohet dhe çështjen e koalicioneve zgjedhore? Nuk e thotë dot njeri sepse të gjitha këto rregullohen me ligjin zgjedhor. Edhe aty, në të gjithë atë debat thuhej ne duam garanci që kjo do të jetë kështu! Hajde sëbashku sepse garancia më e madhe e këtij procesi është që je palë në proces. Të punojmë siç kemi punuar deri më tani, nuk ka garanci për gjëra të cilat nuk i dimë. Ama ka një gjë, në momentin që miratojmë ndryshimet kushtetuese hajde të ulemi e ti zbërthejmë përfshirë edhe shqetësimet tuaja politike të cilat u ngritën edhe në këtë dokument politik të sotëm. Ti adresojmë në Kodin Zgjedhor me qetësi të gjitha shqetësimet që ka çdolloj pale.

Z.Gjiknuri a është e mundur hapja 100% e listave?

Gjithçka është e mundur dhe në draftin kushtetues që shumë shpejt besoj të marrë fuqi është përcaktuar jo më pak se 2/3. Pra i është lënë ligjvënësit që nëpërmjet ligjit zgjedhor të përcaktojë të gjitha modalitetet qoftë edhe 100% e listave të hapura.

z.Gjiknuri ju nismën kushtetuese e bëtë për hapjen e listave apo për ti bërë koalicionet sa më pranë modeleve evropiane?

Së pari, iniciativa erdhi nga opozita parlamentare dhe jo nga Partia Socialiste. Së dyti, për shkak edhe të problemeve që u krijuan në lidhje me miratimin e marrëveshjes së 5 Qershorit por qoftë edhe për një reflektim të mëtejshëm rreth një kërkese të kahershme popullore. Një kërkesë e cila doli edhe më në pah nga zhgënjimi që patën shumë qytetarë shqiptarë që për shkak të kontradiktave politike ne nuk mundëm të adresojmë siç duhet të gjitha rekomandimet e ODIHR. Atëherë me të drejtë njerëzit më thonin edhe mua drejtpërdrejt, çfarë arritët? Çfarë u bë ndonjë gjë e rëndësishme? Me sa pamë kërkesa kryesore ka qenë hapja dhe demokratizimi i listave të kandidatëve. PD për një muaj në vend që të merrej me këtë kishte hallin të nxirrte citimet e mia. Unë e them ka sfida hapja e listave dhe pikërisht për këto sfida duhet të punojmë sëbashku. Nuk është kollaj thjesht të thuash u hapën por se si do të administrohet ky proces?

A mund të realizohet kjo sfidë deri të enjten?

Kjo sfidë do të realizohet në Kodin Zgjedhor dhe pikërisht kontributi i Partisë Demokratike duke ngritur ato shqetësime do ta bëjë këtë proces më të besueshëm.

Pse do të ju besojë ju Partia Demokratike në avancë?

Sepse Partia Demokratike edhe në marrëveshjen e 5 Qershorit realizoi të gjitha kërkesat e saj nëpërmjet një procesi konsensual të reformës zgjedhore.

Top Channel