Vrau teknikun e kondicionerit për një tub të çarë, mbyllen hetimet për Griseldo Kusin! Dosja dërgohet në Gjykatë

23/07/2020 12:29

Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet dhe dërgon në gjykatë Griseldo Kusin, i cili akuzohet për vrasjen e Indrit Çelajt. Griseldo Kusi është arrestuar dhe mbahet nën akuzën për vrasje me dashje dhe armë mbajtje pa leje. Po ashtu mbi të rëndon edhe akuza e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

Ndërkohë në dosjen në fjalë do të gjykohet edhe vëllai i Griseldos, Albano Kusi, i cili akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Bujar Kusi, akuzohet për të njëjtën vepër penale, ndërsa Ferdinant Bakalli akuzohet për mos kallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Në dosje do të gjykohet edhe Luan Caka dhe Ali Sula, për moskallëzim krimi.

Prokuroria e Tiranës thotë që  Griseldo Kusi e ka vrarë Indrit Çelën pas një debati të shkaktuar për çarjen e një tubi kondicioneri, ku çela e kishte montuar.

I akuzuari deklaron sipas prokurorisë se viktima pas sherrit për kondicionerit , ata u goditën.

“Viktima mori trapanin t’më qëllonte dhe unë nxora pistoletën për ta trembur dhe arma shkrepi  pa dashje.”

Por në fund të hetimeve  prokurori thotë që vrasja është kryer me dashje pasi sipas dëshmitarëve Griseldo Kusi nxori pistoletën dhe pasi ja vendosi punëtorit në kokë e shkrepi.

“Viktima nuk ka goditur me grusht , dhe debati nisi për kondicionerin” shton më tej prokurori Julian  Zonja.

Sot është seanca paraprake dhe gjykata do të vendosë nëse do të kalojë apo jo çështja në gjykim. Seanca paraprake do të mbahet në orën 12.30 këtë të enjte.

Top Channel