“Rama-Gjiknuri dezinformuan”/ Opozita kërkon takim: Të mblidhet Këshilli Politik nesër ora 17:00

23/07/2020 20:20

Opozita ka kërkuar që nesër të mblidhet sërish këshilli politik, ndërkohë që shprehen se kryeministri Edi Rama dhe damian Gjiknuri dezinformuan publikun me deklaratat e tyre.

‘Ky qëndrim dhe qëndrimi juaj zyrtar sot në Këshill, dëshmon se ju nuk jeni të hapur për diskutime, ndërkohë që Opozita kërkon që diskutimi të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, duke hequr dorë nga FAKTI I KRYER. Teoria e “faktit të kryer” shkon kundër parimeve të dialogut politik, që nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë fasadë’, thuhet në deklaratë.

Deklarata

Z. Gjiknuri,

Duke ndjekur deklarimin tuaj publik dhe të Kryetarit të Partisë Socialiste, shprehim keqardhjen tonë për dezinformimin e opinionit publik në lidhje me qëndrimin e opozitës në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik. Ne nuk kemi refuzuar të diskutojmë asnjë çështje. Opozita ka kërkuar, që çdo çështje që lidhet me zgjedhjen, të diskutohet dhe shqyrtohet në Këshill.

Sot në mëngjes në Parlament, Kryetari i Partisë Socialiste pohoi se amendamenti kushtetutes i njënanshëm që është depozituar në Kuvend, NUK NDRYSHON, sepse procedura parlamentare nuk e lejon!!! Nëse amendamenti kushtetues i njëanshëm nuk ndryshon, sepse Rregullorja e Kuvendit nuk e lejon, atëherë për çfarë po na ftoni të diskutojmë apo dialogojmë? Për një amendament që nuk ndryshon?

Ky qëndrim dhe qëndrimi juaj zyrtar sot në Këshill, dëshmon se ju nuk jeni të hapur për diskutime, ndërkohë që Opozita kërkon që diskutimi të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, duke hequr dorë nga FAKTI I KRYER. Teoria e “faktit të kryer” shkon kundër parimeve të dialogut politik, që nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë fasadë.

Kjo është arsye që ne kërkuam që nëse ju keni një çështje që lidhet me zgjedhjet për diskutim, atë duhet ta sillni në Këshillin Politik, për t’u përfshirë të gjithë bashkë në një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, që lejon një produkt të përbashkët dhe konsensual, dhe jo një produkt që është paracaktuar nga ana juaj dhe ku Opozita politike e vendit është e përjashtuar. Nëse produkti është i paracaktuar në mënyrë të njëanshme dhe është i pandryshueshëm siç ju shpreheni, atëherë ju ribëj me dije se po shkelni Marrëveshjen e 14 Janarit dhe 5 Qershorit, sepse po kryeni ndryshime thelbësore në legjislacionin zgjedhor pa pyetur, diskutuar dhe marrë mendimin dhe konsensusin e Opozitës politike të vendit, duke zhbërë produktin e përbashkët të 5 Qershorit.

Gjithësesi, në vijim edhe të deklarimit tuaj të pavëretë sot në media, kërkojmë mbledhjen e Këshillit Politik nesër, ora 17:00, për të vijuar dialogun, për çdo çështje, por pa cenuar marrëveshjen e 5 Qershorit.

Mbetem në pritje të konfirmimit tuaj!
Oerd Bylykbashi
Petrit Vasili

Top Channel