Puna praktike në distancë, si të lini përshtypje të mirë?

23/07/2020 22:25

Nëse keni plan të filloni një punë praktike tani, përgatituni për një përvojë më ndryshe nga ajo që parashikonit. Për shkak të pandemisë koronavirus, shumë programe të punës praktike tani aplikohen nga distanca.

Sipas një studimi në muajin maj të këtij viti nga “Shoqata Kombëtare e Kolegjeve dhe Punëdhënësve (NACE)” 46% e programeve të praktikës kanë kaluar në një përvojë virtuale. Edhe në vendin tonë një gjë e tillë është duke u aplikuar pasi që kompanitë e ndryshme duan që stafin e tyre të ri ta përgatisin se si të jenë produktiv edhe nëse punojnë në distancë.

Ja disa strategji të thjeshta dhe shumë efektive për t’ju ndihmuar të lini një përshtypje pozitive gjatë punës praktike në distancë:

Tregoni profesionalizëmEdhe pse nuk keni kontakt fizik me bashkëpunëtorët tjerë, kjo nuk do të thotë se duhet të ndiheni më komod dhe t’i shtyni detyrat tuaja për më vonë. Është e rëndësishme të veproni profesionalisht dhe me përgjegjësi. Ja disa këshilla që duhet t’i merrni parasysh:

Kushtoni rëndësi veshjes: Shumica e takimeve të planifikuara do të mbahen me video thirrje përmes shërbimeve si Zoom, Google Hangouts dhe Skype. Kjo do të thotë që menaxheri dhe bashkëpunëtorët tuaj do t’ju shohin, kështu që është e rëndësishme të visheni profesionalisht.
Jeni gjithmonë në kohë: Regjistrohuni në programet e bisedës menjëherë në mëngjes dhe sigurohuni që të kyçeni në video-takime me kohë. Gjithashtu, mos vononi përgjigjet për email-et dhe mesazhet që pranoni, pasi që është e rëndësishme të tregoni se jeni i pranishëm, i angazhuar dhe duke punuar.
Jeni bashkëpunues

Një nga qëllimet e shumta të punës praktike është të krijoni lidhje dhe të ndërtoni rrjetin tuaj. Prandaj, shfrytëzojeni këtë kohë të bashkëpunoni me kolegët tuaj, mundohuni t’i njihni ata më shumë pasi një bashkëpunim i ndërsjellë ndikon në mbarëvajtjen e punës së përgjithshme të stafit.

Merrni iniciativa

Pavarësisht nëse jeni duke punuar nga distanca ose në zyrë, është gjithmonë ide e mirë të ndërmerrni iniciativa. Kompanitë i vlerësojnë punonjësit që kërkojnë projekte të reja dhe që sfidojnë veten vazhdimisht. Mos hezitoni ta pyesni menaxherin tuaj për punë shtesë dhe të jepni ide të reja në fushat ku e shihni se ka nevojë.

Jeni mirënjohës

Është mirë të jeni mirënjohës dhe të sjellshëm. Falënderoni bashkëpunëtorët dhe mbikëqyrësit tuaj kur ofrojnë trajnime, ide dhe njohuri për kompaninë dhe industrinë e përgjithshme. Në ditën tuaj të fundit mos harroni t’i falënderoni kolegët tuaj. Ju mund ta dërgoni një mesazh për të gjithë ekipin, si dhe mesazhe individuale për menaxherin tuaj dhe këdo tjetër që keni punuar ngushtë me të.

Secila kompani ka kulturën dhe rregullat e saj. Prandaj, është e rëndësishme që t’i respektoni dhe përshtateni rregullave të kompanisë në të cilën mbani praktikë. Ndoshta mund të jetë më sfiduese kur nuk jeni aty personalisht, por nuk është aspak e pamundur.

Top Channel