Parandalohet ngjarja që mund të sillte dëme të pallogaritshme/ Hyjnë për të vjedhur, dëmtojnë impiantin në ambientet e kishës katolike Ringjallja në Korçë

23/07/2020 22:04

Ndërhyrja në kohën e duhur e shërbimit zjarrfikës dhe specialistëve të gazit, ka bërë të mundur evitimin e një ngjarje tejet të rëndë në kishën katolike Ringjallja të qytetit të Korçës.

E gjithë kjo ka ardhur si pasojë e dëmtimit të impiantit të bombulës 500 litërshe, pronë e kësaj kishe nga persona të cilët kanë hyrë për të vjedhur në ambientet e saj.

Pranë kishës janë të vendosura njëri nga fakultetet e universitetit të Korçës, gjykata, një pallat si dhe shtëpi dhe biznese të tjera çka do të thotë sipas specialistëve se në rast shpërthimi të një depozite kaq të madhe gazi dëmet do të ishin të pallogaritshme.

Pas lajmërimit policia ka bërë rrethimin në distancë të vendit për të shmangur çdo ngjarje të mundshme ndërsa po punojnë për të zbardhur ngjarjen si dhe gjetjen e autorëve.

Top Channel