Ngjyra shqiptare në Madrid/ Artisti Petrit Halilaj hap ekspozitën në pallatin e Kristaltë

23/07/2020 15:37

 “Një korbi dhe uraganët që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar“.

Kështu ka zgjedhur ta quajë ekspozitën e tij në Pallatin e Kristaltë në Madrid, artisti Petrit Halilaj. Duke përdorur një gamë të gjerë elementesh për t’i eksploruar temat si shtëpia, kombi, dashuria dhe identiteti kulturor, Halilaj ka bashkuar vizitorët me mjedisin rreth tyre dhe i ka joshur zogjtë dhe krijesat e tjera të bëhen vizitor të hapsirës.

“Kam dashur të vë në pyetje strukturën e hapësirës dhe të hapë mundësi të reja, dhe për mua ishte shumë me rëndësi të hapë dritaret e kësaj hapësire. Një ndër gjestet e para të punës time me Pallatin e Kristaltë, ka qenë të kërkoj nga Muzeu Reina Sofia dhe nga Ministria e Kulturës që të hapë nëntë dritaret e kësaj hapësire, me idenë që të ftoja këtu jo vetëm njerëzit por edhe zogjtë. Në fakt, nëse prisni pak mund të shihni zogj që hyjnë dhe jetojnë këtu. Këtu afër janë edhe stacionet ushqyese, kam shpresuar që ky është një gjest i qartë i mikëpritjes për ta. Ja ku është një zog aty.”

Si veçori e përsëritur në veprën e Halilajt, zogjtë simbolizojnë kapërcimin e kufijve që mendimi bashkëkohor ka vënë mes subjektit dhe objektit, mes kulturës dhe natyrës. Të gjitha elementet e përdorura në ekspozitë lidhen ngushtë me biografinë e tij. Sikur foletë në natyrë, hapësira e stisur nga Halilaj nuk mund të shihet si autonome ose e ndarë nga mjedisi, vizitorët dhe aktivitetet e tyre. Përkundrazi, është vazhdimësi e tyre.

“Janë interesante për mua edhe të gjitha pyetjet pas COVID 19 rreth të qenit minoritet dhe i izoluar në shoqëri apo rreth pamundësisë për të shprehur dashurinë, ose prekjen fizike.  Para COVID 19, si minoritet je dashur të i shpjegosh njerëzve se si është ndjenja e të qenit të izoluar. Tani që kemi hapur ekspozitën, është e kjartë se si të gjithë  po e bashkëndajmë problemin e izolimit, të gjithë ne po vëmë në pikëpyetje gjëra elementare si për shembull prekjen fizike, si të përshëndetemi, si të prezantohemi, si të flasim për lumturi apo për jetën në përgjithësi.”

Vepra e Petrit Halilajt është e lidhur ngushtë me biografinë e tij, me historinë e vonshme të vendit të tij dhe me pasojat e tensioneve politike dhe kulturore në rajon. Halilaj ishte artisti që përfaqësoi Kosovën në Bienalen e 55-të të Venecias. Muzeu Reina Sofia është kompleksi muzeal më i rëndësishëm i artit në Spanjë, dhe ndër muzetë më të mëdhenjë botëror. Në koleksionin e këtij kompleksi gjinden vepra të njohura të artistëve spanjoll si Salvador Dali e Picasso.

Top Channel