Fiks Fare denoncoi shkatërrimin e një zonë të mbrojtur në Skrapar, ku vetëm 150 metra larg Kanioneve të Osumit, kanë “mbirë” gurore me dhe pa leje.

Monumenti i natyrës po “kafshohet” dita-ditës nga ekskavatorë dhe matrapikë, të cilët kanë çarë dhe gërmuar afër tij. Në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën disa video dhe foto, ku dukeshin pikërisht këto pamje afër këtij monumenti. Në ankesë theksohej se në zonë ishin hapur disa gurore të pllakave të gurit, ku kamionë të tonazheve të ndryshme transportonin këto materiale.

Sipas dokumenteve që disponon Fiks Fare, Kanionet e Osumit në Skrapar janë monument natyre dhe të mbrojtur nga shteti, ku në afërsi të tyre nuk lejohen gërmime dhe punime që shkatërrojnë habitatin natyror. Pas ankesave, gazetarët e Fiks Fare shkuan në këtë zonë, ku konstatuan një gurore pa leje. Kamerat e emisionit fiksuan një ekskavator të tonazhit të rëndë si dhe një kompresor që shërbente për çarjen e pllakave të gurit. Zona ishte shumë afër zonës së mbrojtur, ku nga vendi i guroreve kanionet janë shumë afër.

Nga pamjet rezultoi se ekskavatori kishte bërë punime ditët e fundit, madje edhe gjurmët ishin shumë të reja. Në zonë pllakat e gurit ishin shpuar me trapanë të mëdhenj dhe, pasi u nxorën qindra metro kub gurë, janë marrë me mjete të tonazhit të rëndë.

Pas disa minutash që grupi i Fiks Fare po filmonte, në afërsi të gurores mbërrin një automjet. Drejtuesi i drejtohet gazetarëve se është manovrator i ekskavatorit dhe është pikërisht ai që ka bërë punime. Punonjësi justifikohet dhe thotë se ka gërryer në gjurmën e një rruge të papërfunduar, ndërsa shton se ka pak ditë që mjeti i tij ka shkuar në këtë vend dhe ka marrë shumë pak gurë. Ai pohon se firma që punon nuk ka leje dhe komunikon me pronarin, duke i treguar se çfarë po xhironte gupi i Fiks Fare. Punonjësi tregon se, krahas firmës së tij që ka punuar pa leje, në zonë janë hapur edhe disa gurore të reja para dy vitesh.

Grupi i Fiks Fare shkoi edhe në afërsi të këtyre guroreve, të cilat ishin hapur në të njëjtin vend ku qeveria anuloi dhënien e koncesioneve për HEC-et. Pra, në zonë rezultoi se ishin anuluar me të drejtë HEC-et, por kishin “mbirë” pa të drejtë guroret!

Top Channel