Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk i kanë braktisur bisedimet për Kosovën dhe se ai pret angazhim edhe më të fuqishëm të amerikanëve në këtë çështje.

Duke folur për negociatat mes Kosovës dhe Serisë, të cilat do të vazhdojnë sot në Bruksel në nivel ekspertësh, Vuçic tha për Radio-Televizionin e Serbisë se “hapësira e Serbisë për manovrim do të zvogëlohet”.

“Ne nuk iu kundërvihemi shqiptarëve atje. Është njësoj si të flisni me shqiptarët, e me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara. Ata mendojnë njësoj dhe të gjithë e duan Kosovën e pavarur”, tha Vuçic.

“Në një moment do të jemi nën presion, por ma lini mua, unë jam veteran politik, e di se cilat janë pasojat për mua, por do të mbroj vendin, jo veten time”, shtoi ai. Javën e kaluar, Vuçic dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u takuan në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të lartë të BE-së. Ky ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë që në fund të vitit 2018, kur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve u ndërprenë për shkak të taksës 100% që i vuri Prishtina prodhimeve të importuara nga Serbia.

Top Channel