Australianët kërkojnë tamponin/ Pandemia i bllokoi në Shqipëri, por tani u duhet testi për t’u larguar

23/07/2020 20:28

Pushimeve të Kim dhe Steve në Shqipëri u ka ardhur fundi.

Por çifti australian, që pandemia e mbajti më shumë nga e kishin planifikuar në vendin tonë, nuk po largohet as tani që kufijtë janë hapur.  Pak muaj më parë ata treguan se sa të lumtur ishin që po qëndronin në Vlorë, por tani na kërkuan ndihmë sepse askush nuk po i ndihmon për të bërë testin e Covid-19, viza e tyre e largimit nga Shqipëria.

“Lundrimi ynë ka filluar në tetor dhe gjendemi në ujërat shqiptare që prej shkurtit. Muaji mars ishte muaji ku çdo gjë u bllokua dhe u detyruam të qëndrojmë në portin e jahteve Orikum. Fillimisht ditët ishim të qeta, gradualisht dhe javët po iknin, kemi patur momente ngarkese, por filluam t’i përshtatemi jetës këtu. Bëjmë pazaret, kemi bërë miq dhe dalim me ta. Punën e bëj online, përpiqem të mbush ditën dhe me aktivitete fizike apo të bëj video të momenteve më tërheqëse këtu. Ditët po mbarojnë dhe ju drejtova juve për një ndihmë për “bërjen e testit”, pasi është e vetmja mënyrë që të largohemi”, shprehet Kim.

“Është absurde që ky rregull funksionon vetëm për Shqipërinë e jo për vendet e tjera! Ky lloj rregulli do të ndikojë në turizmin shqiptar, pasi çdo lundrues që futet në ujërat shqiptare nuk pranohet nga vendet e tjera pa bërë testin Covid”, sqaron Steven.

Në Shqipëri testi nuk bëhet ende për qëllime udhëtimi. Edhe testi serologjik që do të bëhet tani nga laboratorët privatë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë nuk shërben për dalje në kufi, pasi tregon vetëm përgjigjen e sistemit imunitar të trupit ndaj një infektimi që ka ndodhur 2-3 javë më herët.

Top Channel