Kontrabandimi i kafshëve/ Po fuste në Shqipëri 11 kuaj, kapet 65-vjeçari

22/07/2020 12:40
Ilustruese

Vijon puna nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me DVP Korçë dhe Policinë Kufitare greke, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

Falë shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare shqiptare dhe Policisë Kufitare greke dhe pas bashkëpunimit me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Korçë, u godit një rast i vjedhjes dhe kontrabandimit të kafshëve të dorës.

U kap duke kaluar ilegalisht në kufirin e gjelbër me 11 kafshë dore, të cilat dyshohet se i kishte vjedhur në Greqi, arrestohet në flagrancë 65-vjeçari.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik, në vijim të punës për parandalimin e krimeve ndërkufitare, falë shkëmbimit të informacioneve me Policinë greke në lidhje me një shtetas shqiptar, i cili dyshohej se kryente vjedhje të kafshëve të dorës në fshatrat greke dhe më pas i kontrabandonte ato në drejtim të Shqipërisë, organizuan punën dhe bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e tij.

Nga shërbimet e Policisë, në territorin e malit Ivan, në afërsi të fshatit Gollobërdë, u kap shtetasi R. K., 65 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, Maliq, i cili po transportonte në drejtim të Shqipërisë, në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet kufirit të gjelbër, 11 kafshë dore (kuaj), të cilët dyshohet se i ka vjedhur në fshatrat greke.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel